Macron uron pavarësinë e Kosovës: Javët e ardhshme vendimtare për zbatimin e marrëveshjeve, përfshirë edhe Asociacionin

schedule20:10 - 16 Shkurt, 2024

schedule 20:10 - 16 Shkurt, 2024

PARIS- Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në letrën e urimit drejtuar presidentes Vjosa Osmani, Macron shprehet se javët e ardhshme të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në telegramin e urimit për 16-vjetorin e Pavarësisë, Macroni ka thënë se shpreson që Kosova të marrë “vendimet e guximshme që janë të nevojshme dhe që do t’i mundësojnë të përparojë në trajektoren e saj evropiane”.

“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”, thuhet në letrën e Macronit, të publikuar nga Presidenca e Kosovës.

Ai shton se vendi i Kosovës do të jetë brenda Bashkimit Evropian dhe ka inkurajuar që të vazhdohen reformat për forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke vlerësuar se sfidat më 2024 janë të shumta për shkak të luftës në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, Macroni ka deklaruar se “në këtë kontekst shumë të pasigurt ndërkombëtar, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përbën një sfidë parësore”./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!