Macron premton mbështetje pragmatike europiane për popullin bjellorus

schedule15:12 - 29 Shtator, 2020

schedule 15:12 - 29 Shtator, 2020

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka premtuar se Europa do të ndihmojë në ndërmjetësimin e krizës politike në Bjellorusi.

“Ne do të bëjmë më të mirën tonë si europianë, për të ndihmuar në zhvillimin e negociatave”,  tha Macron para gazetarëve në Vilnius të Lituanisë, ku takoi udhëheqësen e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya.

Presidenti francez “na premtoi se do të bëjë gjithçka të mundur për të na ndihmuar me negociatat gjatë kësaj krize politike në vendin tonë. Ai do të bëjë gjithçka edhe për të ndihmuar në lirimin e të burgosurve politikë”, tha Tsikhanouskaya.

Bjellorusia është përfshirë nga protestat kundër regjimit të Alyaksandr Lukashenkos, pas zgjedhjeve të 9 gushtit, në të cilat Lukashenko pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë presidencial.

Sipas protestuesve, opozitës dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet janë manipuluar në favor të Lukashenkos.

Protestat janë shtypur brutalisht nga policia, me rrahje dhe arrestime masive. Tsikhanouskaya është strehuar në Lituani pas zgjedhjeve. Vendet perëndimore kanë refuzuar ta njohin Lukashenkon si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kanë kërkuar atij të negociojë transferimin e pushtetit.

Lukashenko refuzon ta bëjë një gjë të tillë./abcnews.al