“Në dokumentin që kemi publikuar të dielën është e shkruar se në bazë të raporteve tona, pjesa më e madhe e provave tregojnë se janë përdorur armë kimike në Siri në sulmin e fundjavës së kaluar”. Kështu është shprehur Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Komisionit Europian duke iu përgjigjur një pyetje të një gazetari në Bruksel.
Për këtë çështje ka ardhur edhe një reagim nga Franca. Presidenti Emmanuel Macron thotë se “dëshiron që t’i heqë regjimit sirian mundësinë e përdorimit të armëve kimike, në mënyrë që të mos shikohen më shumë imazhet e forta të ditëve të fundit, të fëmijëve dhe të grave që po vdesin”.
“Kemi prova që këto armë kimike janë përdorur javën e kaluar, të paktën klori”, shton presidenti Macron duke premtuar se Franca nuk do të lejojë që të regjistrohen përsëri ngjarje të tilla. “Paris do të marrë vendime në kohën e duhur, në kohën më të dobishme dhe efektive”, thotë ai. Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel duket se ka dalë në kundërshtim të Macron, i cili mbështet bombardimin e magazinave të regjimit sirian me armë kimike.
Në një konferencë për shtyp me kryeministrin e danimarkës, ajo konfirmoi se Gjermania nuk do të marrë pjesë në asnjë ndërhyrje ushtarake në Siri. “Ne mbështesim të gjithë atë që po bëhet për të treguar se përdorimi i armëve kimike është i papranueshëm”, ka shtuar kancelarja Merkel. /abcnews.al