Macron i kërkon Putinit të tërhiqet nga centrali bërthamor Zaporizhzhia: Të nisin negociatat me Ukrainën

schedule09:05 - 12 Shtator, 2022

schedule 09:05 - 12 Shtator, 2022

Pushtimi i termocentralit bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës nga forcat ruse është shkaku i rreziqeve që janë krijuar, tha presidenti francez Emmanuel Macron gjatë bisedës së tij telefonike me Vladimir Putin.

Presidenti francez i kërkoi Putinit të tërhiqet nga termocentrali bërthamor dhe të respektojë udhëzimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për rivendosjen e kushteve të sigurisë, sipas njoftimit për shtyp të Presidencës Franceze.

Gjatë bisedës telefonike, Emmanuel Macron “dënoi vazhdimin e operacioneve ushtarake ruse në Ukrainë dhe përsëriti kërkesën e tij për t’i dhënë fund sa më shpejt të jetë e mundur, për të filluar negociatat dhe për të rivendosur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Emmanuel Macron diskutoi me Putinin edhe çështjen e sigurisë globale ushqimore dhe i kujtoi atij se “sanksionet europiane nuk zbatohen për produktet bujqësore apo për produktet e nevojshme për bujqësinë”, ndërsa gjithashtu i kërkoi presidentit rus të garantojë zbatimin e marrëveshjes për eksportin e drithërave për të siguruar furnizimin e atyre që janë më në nevojë.

Nga ana tjetër Moska tha se eksportet e saj të produkteve bujqësore dhe plehrave janë ende të penguara nga sanksionet perëndimore, ndërsa Vladimir Putin tha të mërkurën se shumica e eksporteve të Ukrainës shkojnë në Europë dhe jo në vendet e varfra.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!