Presidenti francez Emmanuel Macron ka humbur durimin me agjentët izraelitë të sigurisë gjatë vizitës në kishën franceze në Shën Anës në Jeruzalem. Sipas raportimeve të “Associated Press” Macron në zemërim e sipër urdhëroi një agjent policie që të dilte jashtë kishës. Ende nuk dihet arsyeja e këtij veprimi nga ana e presidentit francez, por mediat izraelite raportojnë se ai i ka thënë agjentëve që e rrethonin që të respektonin rregullat ashtu si kishin qenë prej shekujsh, e se nuk do të ndryshonin tani.
Ky moment ka risjellë në vëmendje një vizitë në 1996-ën të presidentit të atëhershëm francez Zhak Shirak, i cili u zemërua gjithashtu me sigurinë izraelite që e shoqëronte në Jeruzalem. Në atë kohë ai u kishte bërtitur: “Çfarë doni, që të kthehem tek avioni im dhe të rikthehem në Francë?”
Më pas Macron ka kërkuar falje për për incidentin duke shtrënguar duart me agjentët e sigurisë dhe vazhdoi vizitën e tij në qytetin e vjetër. Shërbimi i sigurimit të brendshëm izraelit me anë të zëdhënësit të tij sqaroi se kur delegacioni kishte mbërritur në kishë, ndodhi një debat mes sigurimit francez dhe atij izraelit për hyrjen në kishë me presidentin francez. Makron kërkoi që të respektoheshin rregullat e vendit dhe plani që ishte vendosur fillimisht.
Izraeli ka vënë në gadishmëri me mijëra agjentë policie në mbrojtje të dhjetëra liderëve botërorë mes të cilëve Macron, të cilët ndodhen në Jeruzalem për ceremoninë përkujtimore të 75 vjetorit të çlirimit të Aushvic./abcnews.al