Lajmi i djeshëm se 12 klube europiane zyrtarizuan krijimin e Super Ligës Europiane shkaktoi shumë polemika. Pjesa më e madhe e tifozëve janë kundër këtij revolucioni në futboll, por të njëjtin mendim kanë edhe politikanët. Menjëherë pas lançimit të lajmit reaguan presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeminitri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson.
Sipas raportimit të “Politico.eu”, Macron është i lumtur që klubet e Ligue 1 kanë refuzuar t’i bashkohen kësaj nisme. Gjithashtu, ai ka deklaruar se Franca do të mbështesë të gjitha hapat që do të marrë UEFA për të mbrojtur kompeticionet aktuale si dhe sipas tij Super Liga kërcënon parimin e meritës sportive.
Të njëjtin mendim ka dhe kryeministri Johnson, i cili ka deklaruar se krijimi i një kompeticioni të tillë do të ishte shumë i dëmshëm për futbollin dhe jo vetëm. Ashtu si Macron edhe ai do të mbështesë vendimet që do të marrin organet e futbollit europian në lidhje me këtë zhvillim. /abcnews.al