Macron dhe Scholz i kërkuan Putinit armëpushim/ Çuko: Po ndodh një krizë e brendshme në Rusi, lufta është bërë lodhëse

schedule21:26 - 30 Maj, 2024

schedule 21:26 - 30 Maj, 2024

Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë i kanë kërkuar Vladimir Putinit të Rusisë që të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta dhe serioze me presidentin e Ukrainës.

Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz folën me Putinin me telefon për 80 minuta. Të dy udhëheqësit këmbëngulën për një armëpushim të menjëhershëm dhe një tërheqje të trupave ruse.

Lidhur me këtë kanë diskutuar këtë të enjte në emisionin “360 Gradë”, eksperti i gjeo-politikës dhe ish-komandanti i gardës, Arben Çuko dhe ish-oficeri Dritan Goxhaj.

Çuko ka deklaruar se Po ndodh një krizë e brendshme në Rusi dhe lufta është bërë lodhëse për popullësinë vendase, pasi po shkon drejt vitit të tretë.

“Unë mendoj që deklarata e Putinit është në vazhdën e friksimeve që po mundohet të realizojë Putini ndaj aleancës perëndimore. Ky është rrafshi i parë i jashtëm dhe rrafshi i dytë i jashtëm është në pjesën e përpjekjeve që bën Putini për të grumbulluar rreth vetes popullin rus, sepse një luftë që po shkon drejt vitit të tretë të saj është lodhëse, jo vetëm për Ukrainën, por dhe për popullësinë ruse, shtetin rus, ekonominë ruse. Fakti që ai hoqi mikun e tij të afërt, nga ministër i Mbrojtjes, të cilën e ka shoqëruar dhe me arrestimin e shtatë gjeneralëve. Do të thotë që është një krizë e brendshme në Rusi, e cila rrjedh nga mospasja e rezultateve konkrete në fushën e betejës. Ka dy vjet e gjysmë dhe rusët kanë përparuar në fushën e luftimit shumë më pak se sa përparuan në ditët e para”.

Ndërkohë, Goxhaj u shpreh:“Në vazhdën e atyre deklaratave që ka bërë më para, deklaratat kanë qene përgjithësuese. Hera e parë që këto deklarata ndahen dhe nuk janë përgjithësuese dhe kryesisht është mbi shtetet e vogla të NATO-s, në të cilat përfshihen shtetet baltike, shtetet si puna jonë që nuk kanë ndonjë fuqi ushtarake në NATO, por kanë fuqi vendimmarrje në NATO, vota jonë ka peshë dhe pikërisht kërcimi i drejtohet këtyre vendeve, si puna e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!