Me optimizëm, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron kanë rënë dakord për zgjidhje gjithëpërfshirëse të problemeve me të cilat përballet sot BE-ja. Por për mediat europiane, optimizmi i dy liderëve do ta ketë të vështirë të bashkojë një Union të përçarë.
Me një pritje të ngrohtë, kancelarja gjermane Angela Merkel duket se i ka kthyer humorin presidentit francez Emmanuel Macron. Takimi kokë më kokë mes dy liderëve i zhvilluar të martën në Berlin duket se ka bërë që ata të harrojnë shijen e hidhur të lënë pas nga samiti i G7-s.
Merkel dhe Macron kanë rënë dakord për një sërë çështjesh, por zor se optimizmi i shfaqur prej tyre do të mjaftojë për t’i zgjidhur ato. Së pari, ata kanë rënë dakord se kriza e refugjatëve kërkon zgjidhje në nivel europian.
“Europa duhet të ketë më shumë kapacitete për të kontrolluar kufijtë e jashtëm të saj, por edhe më shumë solidaritet brenda kufijve të saj”, ka thënë Macron.
Një deklaratë kjo, që vjen në një kohë kur kakofonia mes vendeve anëtare të BE-së që i mëshojnë zgjidhjeve individuale vazhdon. Nga ana e saj, Merkel ka nënvizuar se me Macron ka rënë dakord për një buxhet të përbashkët për Eurozonën, në mënyrë për ta mbrojtur më mirë atë nga 1 mij e 1 hallet që e kanë përfshirë në vitet e fundit.
“Ne jemi të angazhuar për një buxhet të tillë”, ka thënë mes të tjerash Merkel.
Buxheti ka qenë një kërkesë e vjetër e Macron, si instrument solidariteti dhe stabiliteti për 19 vendet që përdorin monedhën e përbashkët. Në konferencën për shtyp, presidenti francez ka saktësuar se buxheti në fjalë mund të jetë gati në vitin 2021. Por se si do të shkojnë gjërat deri atëherë, kjo mbetet për t’u parë dhe pse jo për t’u vënë në dyshim, duke parë përçarjen e thellë në radhët e BE-së./abcnews.al