Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë rënë dakord se Bashkimi Europian ka nevojë për një plan reformash, që sipas tyre duhet të jetë gati deri në muajin Qershor.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane Merkel në Paris, presidenti francez, Emanuel Macron, u shpreh se situate në Bashkimin Europian është e tensionuar dhe se ka shumë punë për të bërë. Macron tha se BE-ja është e tronditur nga Brexit dhe rezultati i zgjedhjeve në Itali, ku ekstremistët janë bërë protagonistë. Sipas tij, kjo është pasojë e qasjes jo të duhur ndaj krizës ekonomike dhe asaj të emigrantëve.
Macron premtoi një plan të detajuar dhe ambicioz për reformat që duhen kryer në Bashkimin Europian, brenda muajit qershor. Të dy liderët ranë dakord se do të prezantohet një projekt për t’i dhënë një frymë të re BE-së, e cila ende po paguan pasojat e krizës ekonomike dhe emigracionit. Macron shtoi se është shumë e rëndësishme që Bashkimi Europian të gjejë një mënyrë për t’u përballur me një seri çështjesh dhe se kjo është një detyrë që duhet kryer brenda muajit Qershor.
Mes propozimeve të presidentit francez është dhe emërimi i një ministri Financash të përbashkëta si dhe të një bilanci unik të zonës euro, por kancelarja gjermane Merkel është treguar më e matur duke thënë se duhen marrë rezultate deri në Qershor dhe se Franca e Gjermania nuk kanë pasur të njëjtin këndvështrim për këto çështje që në fillim. Por kjo sipas saj, nuk do të thotë se nuk mund të gjendet një rrugë e përbashkët.
Por dhe nëse Merkel tashmë është dakord, planet e Macron mund të përballen me një rezistencë nga ana e vendeve më në veri të Europës, të cilët janë mosbesues ndaj idesë së reformave radikale./abcnews.al

