Drejtuesi politik për Partinë Demokratike në qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu ka takuar ditën e sotme banorë në zonën e Luzinisë në Dibër. Janë rreth 5 mijë banorë të 6 fshatrave të Luznisë që ankohen nga mungesa e rrugës kryesore që lidh qytetin e Peshkopisë me qendrën e Komunës Luzni.
Një pjesë e kësaj rruge u asfaltua në 2009, deri tek lumi Drin, ndërsa më tej nuk shkoi më, duke lënë në baltë gjithë zonën. Të tjerë banorë ankohen se janë edhe më keq rrugët e fshatrave, pasi edhe terreni është më malor. Ata thonë se kanë edhe probleme me energjinë elektrike, pasi u është dashur t’i riparojnë shtyllat dhe telat vetë.
Duke folur me banorët, Mziu u shpreh se gjendja është skandaloze për një zonë që është vetëm 10 km larg qytetit.
“Të jesh vetëm 10 km larg qytetit dhe të jetë kjo gjendje skandaloze, është e pa pranueshme që të braktisen qytetarët në këtë formë. Është vërtet për të ardhur keq që jo vetëm fshatrat e Luznisë por janë rreth 70%e fshatrave të pa asfaltuar. Në 8 vjet Rilindja ka rregulluar vetëm 2 rrugë fshatrash 6 km dhe ka fytyrë del të kërkojë votat e qytetarëve. Kështu paguhet blerja e votës. Shpagimi i shit-blerjes së votës gjithmonë bëhet me braktisje, vjedhje dhe në fund qytetarëve u mbetet zhgënjimi.
Ne në programin e Partisë Demokratike kemi prioritete të qarta. Ngritjen e infrastrukturës rrugore, investimin në infrastrukturën turistike, dhe mbështetjen e bujtinave. Mbështetjen e fermerëve me subvencione dhe grante për pikat e grumbullimit me qëllim që produktet tuaja të mos kalben dhe të hidhen përrenjve. Hartimi i politikave të punësimit dhe kthimin e të rinjve(mendjes) për ti shërbyer vendit, si dhe çeljen e negociatave me BE.” sb/abcnews.al/