Mbreti Karl III u bë monarku i parë britanik që lutet me një papë në Vatikan pas 500 vitesh. Në një ceremoni solemne, mbreti iu bashkua Papa Leonit XIV, në lutjet që u lexuan në gjuhën angleze. Ai ishte shoqëruar nga Mbretëresha Kamila, e cila mbante një vello të zezë, në përputhje edhe me rregullat e kishës katolike.
Momenti historik në Kapelën Sistine ishte hera e parë që një monark dhe Papa bashkohen në një ngjarje të tille që nga vitit 1534, kur Mbreti Henry VIII e shpalli veten kreun e Kishës së Anglisë dhe u shkëput nga autoriteti papnor i Kishës Katolike të Romës.
Lutja solemne ndër të tjera bashkoi traditat katolike dhe anglikane, teksa kori i Kapelës Sistine, u shoqërua nga ai i Kapelës Saint George.
Udhëtimi i Mbretit Karl III në Vatikan vjen ndër të tjera gjatë vitit Jubile 2025 të Kishës Katolike.
Ky ishte takimi i parë i monarkut 76-vjeçar, kreu i kishës anglikane, me Papa Leonin, që kur ati i shenjtë mori detyrën në muajin maj pas vdekjes së Papa Françeskut. Mirëpo ngjarja historike, u zbeh disi nga skandalet që kanë prekur familjen mbretërore javët e fundit, që lidhen me vëllain e Karl, Princin Andrew.
Akuzat ndaj tij për lidhjet me Jeffrey Epstein, janë shtuar dhe kanë marrë vëmendje të madhe publike. Andrew hoqi dore nga titujt e tij ditët e fundit, teksa është shtuar presioni ndaj familjes mbretërore, për të marrë masa më të rrepta ndaj tij.

