Lushnje/ Shkarjet e rrugës po dëmtojnë banesat, banorët në alarm

schedule13:59 - 30 Nëntor, 2018

schedule 13:59 - 30 Nëntor, 2018

Banorët e fshatrave bri rrugës Lushnje-Hyzgjokaj janë të alarmuar për shkak të shkarjeve të rrugës. Ata kanë frikë se nga gjendja e rrugës do të dëmtohen edhe shtëpitë.

Shkarja e rrugës po merr me vete edhe shtëpitë. Krisjet janë të dukshme kudo. Në të gjithë gjatësinë e tij prej 12.6 km, aksi rrugor Lushnje-Hyzgjokaj, ka pësuar dëmtime të mëdha. Këtë dimër banorët më tepër se rrugës i tremben shembjes së banesave.

Banori 1: “Kjo po bën afro 1 vit e gjysmë. Është shkëputur dhe muri.”

Zona më problematike është pranë fshatit Lekaj. Aty është shkëputur një pjesë e madhe asfaltit, duke shkaktuar probleme të mëdha në qarkullim. Drejtuesit e automjeteve i tremben kalimit gjatë natës për shkak të mungesës së ndriçimit rrugor. Përveç kësaj, zona e shembjes nuk është e rrethuar apo të vendoset sinjalistikë për të treguar rrezikshmërinë e kalimit nëpër të, por janë vendosur vetëm disa barishte në mes të rrugës.

Shoferi 1: “Kemi frikë natën ne qe e dimë mirë, po ai që vjen për herë të parë? Mund të ketë dhe aksident aty.”

Shoferi 2: “Po të vijë makina nga ana tjetër, nuk e shoh dhe mund të bie në gropë aty.”

Shoferi 3: “Është shumë problematike. Është frikë sidomos natën.”

Rruga Lushnje-Hyzgjokaj është një nyje e rëndësishme lidhëse e zonës me Shqipërinë e mesme. Ajo u shërben rreth 15 mijë banorëve, të cilët aktivitet kryesor kanë sektorin bujqesor. Hyzgjokaj, vitet e fundit po përballet me rrëshqitje të vazhdueshme të terrenit kodrinor, gjë që ka sjellë panik tek banorët e 7 fshatrave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!