Daja e Zamir Latifit i cili mbeti i vrare dy vjet më parë në një masakër në Lushnjë, është ekzekutuar mëngjesin e sotëm në një lokal ku po pinte kafe vetëm. Ai është Besmir Hida 35 vjeç, banor në lagjen “Skënder Libohova” në Lushnjë. Sipas policisë dy persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të Besmir Hidës, i cili ndërroi jetë në vend. Autorët janë larguar nga vendngjarja me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë shërbimet e Policisë Lushnjë. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në hyrje-dalje të qytetit, në aksin rrugor Lushnjë Tiranë, Lushnjë Fier dhe Lushnjë Berat. Për zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë.
Besmir Hida është daja i Zamir Latifit, të riut që mbeti i vrarë në një atentat në mes të Lushnjes në tetor të vitit 2017. Në këtë masakër mbeti i vrarë dhe shoku i tij Jurgen Hoxha. Ngjarja ndodhi në një ambient në lagjen “Loni Dhamo”, në vendin e quajtur Ura e Përroit.
Latifi dhe Hoxha ishin në shoqërinë e shokëve të tyre Marius Xhepexhiu i cili u plagos dhe Saimir Xhelili. Ata u qëlluan me breshëri nga dy persona që u identifikuan nga policia. Në trupin e Latifit u gjetën 35 plumba, kurse në trupin e Hoxhës, 7 plumba. Ekzekutimi i Besmir Hides mëngjesin e sotëm dyshohet se ka lidhje me zinxhirin e hakmarrjes në Lushnje.
/abcnews.al