Lumi Drin në Lezhë rrezikon të përmbytë zonën

schedule13:38 - 21 Gusht, 2018

schedule 13:38 - 21 Gusht, 2018

Specialistët e Mjedisit në Lezhë japin alarmin se lumi Drin që përshkon zonën mes përmes, do të kthehet në rrezik. Kjo për shkak se ai nuk ka rrjedhje në drejtim të Lezhës dhe nuk arrin të pastrojë veten.

Lumi Drin i Lezhës ka shumë mundësi të kthehet sërish në një lum që përmbyt të gjithë zonën. Ky është alarmi që vjen nga specialisti i mjedisit Jak Gjini. Ai thotë se natyra hakmerret për veprime të pastudiura mirë e ku sigurisht përfshihet edhe lumi Drin që përshkon mes për mes të gjithë pjesën veriore të Lezhës.

Ndërprerja e prurjeve në këtë lum si pasojë e hidrocentraleve të ngritura mbi lumin Drin në Bushat penalizojnë turizmin në Lezhë thotë Jak Gjini, i cili shton se në këtë mënyrë rritet mundësia e përmbytjeve dhe ndërhyrjet për pastrimin e tij janë të paefektshme.

Jak Gjini, Specialist Mjedisi: “Sot, në këto kondita që është lumi Drin, në qoftë se nuk e pastron një herë në tre vjet, komuniteti në të dyja anët e lumit Drin është i rrezikuar nga përmbytjet.”

Sipas Gjinit, lumi Drin duhet të ketë një rrjedhe edhe drejt Lezhës. Kjo sa për të vetëpastruar veten dhe të minimizohen shpenzimet për rihapjen e tij, si pasojë e akumulimit të shpejtë të dherave në shtratin e tij.

“Duke hedhur ujë ajo e ripastron edhe e mban të hapur.”

Aktualisht, nëpërmjet Lezhës nuk rrjedh lumi Drin, por vetëm prurjet të kanaleve të larta. Për këtë arsye edhe më herët vetë drejtori i Bordit të Kullimit në veri kishte kërkuar pikërisht kalimin e një rrjedhë të këtij lumi drejt Lezhës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!