Lumë parash informale në vend, BSH: Në qershor 317, 2 miliard lekë qarkulluan jashtë bankave

schedule14:29 - 26 Gusht, 2020

schedule 14:29 - 26 Gusht, 2020

Nga Erblina Mile

Paraja informale në vend ka njohur një rritje të frikshme gjatë muajve të pandemisë.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në Qershor kanë qarkulluar jashtë bankave 317,2 miliard lekë.

Paraja informale ka  pësuar një “boom” pas rihapjes së ekonomisë në maj nëse e krahasojmë më muajt e parë të vitit.  Ky rezulton se  është niveli më i lartë i parasë që qarkullon CASH në Shqipëri gjatë 10 viteve të fundit.

Ndërkohë nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë vërehet një rritje me rreth 39 miliard lekë më shumë.

Përdorimi i parasë “cash” në vend është kthyer në një shqetësim për institucionet financiare pasi kjo ndikon direkt në rritjen ekonomike. Bizneset e vogla por edhe qytetarët shqiptarë përdorin në masë paranë “cash” për pagesat e shërbimeve të ndryshme.

Kjo detyroi ministrinë e financave që të vendosë vitin e kaluar detyrimin për hapjen e llogarive bankare nga bizneset e vogla të cilat realizojnë mbi 90 të vëllimit vjetor të pagesave me para në dorë.  Përdorimi i parasë jashtë sistemit bankar është tregues i informalitetit të lartë në një ekonomi dhe pavarësisht aksioneve të ndërmarra në këtë drejtim nuk janë marrë rezultate pozitive.

Sipas eksperteve ekonomia gri është mbi 30 %.Ndërkohë për të formalizuar ekonominë qeveria nisi procesin e fiskalizimit ose faturimi online.

Por për shkak të situatës së krijuar nga pandemia kjo nismë u shty për vitin tjetër. Ndërkohë në shtator të këtij viti pritet të miratohet amnistia penale dhe fiskale duke iu dhënë mundësi bizneseve por edhe individëve që të deklarojnë të gjitha pasuritë që ata zotërojnë  në mënyrë informale. /abcnews.al/