Në emisionin “ABC e Mëngjesit”, në ABC News regjisori i veprës që do të sjellë në skenë Rajmonda Bulkun, Adriana Tolkën dhe Valentina Mytevelin, Endri Çela foli “Lule Sajza”, premiera që do të jepet në formën e teatrit dokumentar.
“Lule Sajza” e kampit të Tepelenës do jepet në Teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli”, më 21-24 mars. Ai tregoi se është një shfaqje që bazohet tek vërtetësia, ndonëse ka disa elementë artistikë që janë të domosdoshëm. Ndërsa u shpreh se është shumë e rëndësishme që këto ngjarje të mos harrohen dhe që herë pas herë të kthehet vëmendja pasi janë histori gati të pabesueshme që ngjasojnë me legjendat.
“Gjithçka bazohet tek vërtetësia. Janë dosa lloje stilesh dhe i përzgjedh regjisori. Por gjithçka është e vërtetë dhe vjen e rrëfyer. Publiku duhet ta kuptojë që disa elementë artistikë janë të domosdoshëm. Kampi i Tepelenës njihet më shumë për gratë dhe fëmijët, dhe shfaqja duhet të jetë e rrëfyer nga vetë gratë. Gjithashtu me këtë shfaqje do të doja t’i flisja edhe publikut të moshës time. Të vijnë dhe ta shohin. Na bën mirë të hedhin sytë nga e shkuara. Disa histori duken të pabesueshme, gati-gati legjenda. Historia e Drane Jakja më ka bërë shumë përshtypje. Ajo kur ka dalë nga burgu ka shkuar në kodër ka zhvarrosur djalin e saj për ta varrosur në vendin që duhej. Janë histori shumë prekëse”, tha ndër të tjera ai.
“Lule Sajza” sjell dëshmi të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës. Në skenë do të vijnë histori të vërteta, gati të pabesueshme, një kalvar i gjatë vuajtjesh dhe gjurmë plagësh që mbart historia shqiptare.
/abcnews.al/