Luiza Gega, rekord të ri në Maratonën e Tiranës/ Del e para në garën me 5 mijë pjesëmarrës nga 50 vende

schedule12:02 - 20 Tetor, 2024

schedule 12:02 - 20 Tetor, 2024

“Kthyer tashmë në një tradite të përvitshme, maratona e Tiranës zhvillohet këtë 20 tetor në Tiranë, në edicionin e tetë. Rreth 5 mijë garues nga Shqipëria dhe 50 vende të botës marrin pjesë në eventin sportiv më të madh të vitit”,

Luiza Gega mbërriti e para në vijën e finishit, duke fituar maratonën e Tiranës. Atletja shqiptare përfundoi garën për 2 orë e 34 minuta e 7 sekonda. Gega shprehet e emocionuar që arriti të thyente rekordin kombëtar, duke theksuar se për të ishte një sfidë e vështirë për shkak të problemeve shëndetësore të ditëve të fundit. Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili i dorëzoi medaljen e vendit të parë Luiza Gegës, thekson se aktivitete të tilla sportive promovojnë Tiranën.

“Shumë prej atyre të huajve që kanë ardhur sot, kanë një justifikim të vijnë prapë, me familjet, të blejnë ndonjë apartament, të fillojnë të investojnë në Shqipëri. Sepse unë besoj që sa më shumë të zhvillohet Tirana, aq më shumë ngrihet gjithë Shqipëria dhe ecet përpara. Pashë shumë atletë që kishin kauzën e autizmit. Një qytet i mirë është një qytet që i shërben të gjithëve dhe i ndihmon të gjithë. Kjo është Tirana jonë dhe ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithëve”, tha ai.

Në kategorinë 42 km për meshkuj, tre çmimet e para u rrëmbyen nga garues nga Kenia. Edhe në kategorinë 21 km, fituesit dominuan nga vendet afrikane. Ndërsa në distancën 10 km, vendet e para për kategorinë e meshkujve dhe femrave u fituan nga dy shqiptarë.

Emocionet e garës i përjetuan edhe dhjetarë persona me aftësi të kufizuar, të cilët morën pjesë në kategorinë “We too”. Safet Plakaj, një nga fituesit e kësaj kategorie jep një mesazh të rëndësishëm sensibilizues, se përtej sfidave mund të arrijmë gjithçka.

Për shumë nga garuesit, jo atletë profesionistë morën pjesë në maratonën e Tiranës për të sfiduar aftësitë dhe për të treguar rëndësinë e aktiviteteve sportive për një jetë të shëndetshme. Edicioni i tetë i maratonës mblodhi në Tiranë pjesëmarrës nga vende të ndryshme.

“Vij nga Italia, marr pjesë për herë të parë në maratonën e Tiranës. Në fillim e pata pak të veshtirë, por ia dola t’a përfundoj garën. Do rikthehem serish”

Gara e zhvilluar në katër kategori nisi në orën 9.00 nga sheshi “Skënderbej”.

Për mbarëvajtjen e kësaj ngjarje sportive, policia e Shtetit hartoi një plan masash, duke bllokuar rrugët në qendër të Tiranës dhe përreth, ku u zhvillua gara.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!