Luiza Gega është e lumtur me suksesin në Botërorin e atletikës, dhe synon të arrijë më shumë në Lojrat e ardhshme Olimpike. Atletja më e mirë shqiptare kërkon kushte më të mira, të paktën në infrastrukturë
E ka të qartë se duhet të ndihet e kënaqur me këtë që ka.
Luiza Gega, atletja më e mirë shqiptare, është e detyruar të pranojë kushte më të vështira sesa koleget e saj në Europë apo botë, dhe njëkohësisht t’i konkurrojë denjësisht, siç bëri në Botërorin e fundit.
Atletes numër 9 në botë, të paktën i është hapur dera nga Ministria e Mbrojtjes, e cila e ka punësuar dhe e ka lejuar të stërvitet në ambientet e saj të brendshme. Edhe kështu, ajo e realizoi objektivin.
“Finalja ishte objektivi im kryesor dhe thyerja e rekordit që unë e vendosa. Është gjë e bukur që të vendosësh një rekord të tillë në një aktivitet ndërkombëtar aq më tepër që jam e vetmja sportiste e këtyre disiplinave dhe duhet të stërvitem vetëm”, tha Gega.
Kualifikimi i parë shqiptar në histori në një finale Botërori, si dhe rekordi kombëtar.
A e priste Gega këtë rezultat?
“Nëse do të kisha të paktën një ekip, që do të thotë një fizioterapist, një doktor, ndoshta do i kisha gjërat pak më të lehta. U futa në finale pak e stresuar”, tha Gega.
Kushtet në të cilat ajo punën janë spartane, por më shumë se kaq sot nuk ka, të paktën në Tiranë. Ku tjetër stërvitet Luiza?
“Unë jam pjesë e policisë ushtarake dhe kam gjetur mbështetjen maksimale nga Ministria e Mbrojtjes për sa i përket pjesës që duhet të stërvitem sepse që të jem në këto nivele duhet të stërvitem dy herë në ditë. Shpesh herë shkoj edhe në Elbasan sepse atje është pista. Kur jam për aktivitete dhe të mëdha shkoj disa muaj para në Korçë”, tha Gega.
Cilat janë objektivat e saj në të ardhmen?
“Aktiviteti i madh i së ardhmes janë lojërat olimpike të cilat janë në vitin tjetër në Tokio. Tani shkoj me ide më të qarta. Finalja është më e arritshme. Shpresoj që objektivit që kam t’i realizoj”, tha Gega./ABC News Albania 24/7