Luis Rubiales, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, ka folur së fundmi për Superligën e Europës dhe thekson se ajo nuk do të zhvillohet veçmas UEFA-s, por nga ana tjetër ka besim se qeveria europiane e futbollit do e gjejë mënyrën për të mbështetur interesat e klubeve të mëdha.
Në intervistën e dhënë për Cadena SER ai flet edhe për një ndryshim të mundshëm të La Liga, në mënyrë që të garantohen më shumë ndeshje të mëdha. “Futbolli po evoluon dhe UEFA duhet të jetë në krye të këtij e evoluimi. Klubet e mëdha meritojnë të luajnë ndeshje të mëdha, pasi ato tërheqin një audiencë të madhe.
Gjithsesi shpresoj që Superliga Europiane të mos bëhet. Kjo do të thotë që ligat duhet të mendojnë se si të zvogëlojnë numrin e ndeshjeve që luhen. Ne kemi në Spanjë një kampionat me 38 ndeshje dhe reforma mund të behët në dy mënyra: ose zvogëlon numrin e skuadrave ose ndryshon formatin.
Klubet nuk duan të ulet numri i ekipeve në ligë, kështu që duhet të shohin për format tjetër. Për shembull, le të themi që të ketë 33 javë kampionat dhe ndoshta të zhvillohen më shumë se dy El Clasico. Mund të ulemi me La Liga dhe të flasim rreth ëndrrave që presidenti Javier Tebas ka.
Jam njeri optimist. Nuk do të ketë një Superligë Europiane jashtë UEFA-s. Ceferin e njeh mirë futbollin, nga brenda, dhe do të garantojë më shumë mbështetje për klubet e mëdha, por nga ana tjetër nuk do t’i harrojë as klubet e vogla”, tha Rubiales mes të tjerash. /abcnews.al