Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Luigi di Maio në Kuvendin e Kosovës: Qëllimi ynë është stabilizimi dhe demokratizimi përfundimtar

schedule18:02 - 22 Qershor, 2021

schedule 18:02 - 22 Qershor, 2021

Ministri i Jashtëm italian Luigi di Maoi ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë zyrtare në Kosovë.

Pas takimit me ministren e Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, ministri i Jashtëm italian ka marrë pjesë në seancën plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai theksoi se Kosova nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga dialogu me Serbinë, ndërsa shtoi se Italia do të mbetet gjithmonë mbështetësi kryesor i Kosovës.



Më tej ministri italian u shpreh se rruga e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të shikohet me largpamësi dhe arritja e një dialogu mes tyre do të ishte një moment historik.

“Rruga përpara mbetet e gjatë. Hyrja në BE nuk duhet të bëhet mirazh i paarritshme, por një qëllim i vërtetë. Duhet ta them qartë se fatkeqësisht Bashkimi Europian ndonjëherë është dritëshkurtër. Sfidat janë të shumta dhe kërkuese, është thelbësore që brenda çdo vendi të zhvillohet një debat i frytshëm i brendshëm.

Krimi dhe korrupsioni janë plagë të vërteta që kanë kosto shumë të larta dhe kjo është një sfidë që rajoni nuk mund ta lejojë ta humbasë.

Parlamentet kanë përgjegjësi thelbësore, unë inkurajoj që të punohet për këto reforma në mënyrë kohezive. Uroj që ky Kuvend të jetë në gjendje të punojë me unitet më qëllim për të çuar përpara reformat. Për të konkretizuar perspektivat europiane nevojitet një angazhim i ri. Që të mund të shikoni përpara nevojitet një vizion politik.

Parlamentet kanë përgjegjësi në promovimin e një vizioni paqësor të bashkëjetesës. Pakicat përfaqësojnë një urë midis vendeve që duhet të ruhen, Italia e njeh mirë këtë vlerë të pakicave dhe angazhimi i shtetit është maksimal.

Rruga e pajtimit duhet të shikohet me largpamësi, dialogu është një mundësi historike. Jam plotësisht i bindur se Kosova nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga ky dialog. Inkurajoj të dy palët të çojnë përpara këtë dialog që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të jetojnë në paqe”, tha më tej Di Maio.

Më tej Luigi di Maio theksoi se mbajtja e kontakteve dëshmon vullnetin për zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve.

“Ky dimension bashkëpunimi dypalësh së shpejti do të rritet. Në takimet e mia të sotme pata mundësinë të thelloj bashkëpunimin mes vendeve tona. Ju e dini mirë se mund të mbështeteni plotësisht tek Italia. Historia ka treguar se ajo që ndodh në këtë pjesë të kontinentit europian ka pasoja të menjëhershme në Europë dhe kjo kërkon pjesëmarrje aktive”, tha Di Maio.

Gjithashtu gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Italia dhe Kosova nënshkruan marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë sa i përket tatimit në të ardhura dhe parandalimin e evazionit fiskal dhe shmangies./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!