Ditën e sotme do të luhen ndeshjet e fundit të “Abissnet Superiores”, me takimet që do të luhen të gjitha në orën 17:00.
Në “Sleman Stërmasi” do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj jave, pasi vihen përballë Tirana-Kukësi. Bardheblutë e Orges Shehin e kanë një ditë feste sot, pasi do iu dorëzohet edhe trofeu i kampionit, ndërsa nga ana tjetër verilindorët do të kërkojnë të sigurojnë fitoren për të shpresuar më pas te Europa.
Gjithsesi fitorja e Kukësit nuk mund të mjaftojë, pasi triumfi i Laçit me Partizanin, shoqëruar me triumfin e Vllaznisë kundër Kastriotit, u jep shkodranëve vendin e katërt matematikisht.
Në “Niko Dovana” luhet gjithashtu një tjetër ndeshje, ajo mes Teutës dhe Skënderbeut, me djemtë e detit që shpresojnë tek skenari i “çmendur” që kundërshtarët e tyre për europën të humbin që të marrin falë golavarazhit vendin e 4-të në klasifikim.
Dinamo-Egnatia një ndeshje pa objektiva, pasi blutë e Vanolit janë tashmë të rënë në Kategorinë e Parë, ndërsa nga krahu tjetër rrogozhinasit e pozicionuar në zonën “play-out” në klasifikim e kanë mendjen te përballja me Korabin për biletën e fundit të Superiores. /f.a/abcnews.al