Lufton me kancerin për hir të fëmijëve, 38 vjeçarja: E luftova para 6 muajsh, fëmijët më motivojnë të mos dorëzohem

schedule18:50 - 14 Tetor, 2024

schedule 18:50 - 14 Tetor, 2024

Prej rreth gjashtë muajsh kjo 38 vjeçare nga një qytet i vogël i Shqipërisë po lufton me kancerin e gjirit. Vendosi të ndajë historinë e saj për t’i dhënë një mesazh të gjitha grave dhe vajzave, por pa treguar fytyrën për të mos lënduar dy djemtë e saj të mitur që ende sot nuk e dinë se me se po përballet e ëma.

“Kanë qenë motivim shumë i madh fëmijët e mi, asnjëherë se lëshoja veten.”
Betejën e nisi një mbrëmje prilli kur pa se diçka në trupin e saj nuk shkonte. Dyshimet iu shtuan pas një eko, më pas një mamografi.

“Doktori e shikon më shpjegon se këtu ke një masë tumorale, do të sugjeroja mos ta vonoje, të bëje biopsinë. Kisha nevojë të shkëputesha nga ai moment, sa hap derën e banjos më del para një pasqyrë shoh veten dhe them, do e luftosh t’ja dalësh apo do nënshtrohesh, por mos harro se ke dy çuna, i ke të vegjël, kanë nevojë për ty dhe për buzqeshjen tënde.”

Buzëqeshje që u mundua të mos e heqë as kur kthehej në shëpi pas seancave sfilitëse të kimioterapisë e as kur nisën ti bien flokët.

“Mami në shtëpi ka tre burra do bëhem dhe vetë burrë dhe do bëhemi shtëpi burrash, mami do shumë ti presë flokët të bëhet si ju. Kimiot kanë qenë të lodhshme dhe torturuese, por nuk e jepja veten shumë dhe kur më pyesnin njerëzit si je i thosha jam shumë mirë.”

U kthye në forcën e familjes ndërsa bashkëshorti, prindërit e vëllezërit ishin mbështetja e saj. Pas gjashtë seancash kimoterapie dhe një ndërhyrje kirurgjikale thotë;

“Për mua kam fituar.”

Ndërkohë i drejton këtë thirrje grave dhe vajzave.

“Shkoni te mjeku sa më parë, nëse keni ndonjë shqetësim mos kini frikë. Si femra që jemi, jemi shumë të forta. Ne për çdo gjë ja dalim, ne mund te ankohemi pak, por ia dalim”./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!