Trajneri i kombëtares shqiptare, braziliani Sylvinho, ka shpalosur listën me emrat e 27 lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të Euro 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Në krahasim me sfidën përballë Polonisë, këtë herë tekniku i kombëtares sonë ka grumbulluar më shumë lojtarë duke marrë parasysh se janë dy ndeshje.
Një grumbullim i befasishëm është ai i sulmuesit Armando Sadiku.
Do të jenë katër portierë të ftuar në grumbullim dhe përveç Etrit Berishës, Thomas Strakoshës e Elhan Kastratit në listë është edhe Simon Simoni, portieri i Kombëtares U-21 i cili vjen për herë të parë me ekipin në një ndeshje zyrtare.
Në mbrojtje rikthehen Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli, të cilët munguan në mars ndaj Polonisë pë shkak dëmtimi, ashtu si edhe Adrian Bajrami, i cili është ftuar për këto sfida.
Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e mbrojtjes janë Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Federic Veseli, Enea Mihaj dhe Andi Hadroj, ndërkohë që një tjetër risi është Mario Mitaj, i cili gjithashtu vjen nga Kombëtarja U-21.
Edhe në mesfushë ka një rikthim të rëndësishëm, pasi Keidi Bare e ka lënë pas dëmtimin dhe është plotësisht i gatshëm për Kombëtaren në këto ndeshje të rëndësishme. Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Nedim Bajrami, Keidi Bare, Qazim Laçi dhe Anis Mehmeti plotësojnë këtë repart.
Për sulmin trajneri Silvinjo ka ftuar plot 6 lojtarë, teksa edhe në këtë repart ka dy ndryshime krahasuar me grumbullimin e fundit. Do të rikthehet në skuadër Armando Sadiku, ndërkohë që trajneri ka ftuar edhe Ernest Muçin, teksa së bashku me Myrto Uzunin, Taulant Seferin, Jasir Asanin dhe Sokol Cikalleshi do të plotësojnë ofensivën kuqezi.
Trajneri Silvinjo do të dalë në një konferencë për median më datë 5 qershor për të folur në lidhje me listën dhe dy ndeshjet, ndërsa skuadra do të jetë e plotë në grumbullim duke filluar nga data 12 qershor.
Ndeshja e parë do të jetë Shqipëri-Moldavi e cila do të luhet më 17 qershor, ndërsa ajo ndaj Ishujve Faroe do të luhet më 20 qershor.
Lista e plotë: