Ora 20:00. El Clasico do të marrë vëmendjen e sportdashësve anembanë botës. Një përballje që do të zhvillohet në kushte të larta sigurie, pasi në Spanjë i druhen trazirave të mundshme. Gjithsesi interesi është më i lartë për atë që do të ndodhë në fushën e blertë.
Ernesto Valverde ka vetëm një dilemë për formacionin e sotëm: Semedo apo Sergi Roberto në të djathtë të mbrojtjes. Ter Stegen në portë nuk diskutohet, ashtu sikurse edhe Lenglet e Pique në qendër të prapa vijës. Jordi Alba merr përsipër krahun e majtë.
Në mesfushë Ivan Rakitic ka fituar një vend titullari. Arthur nuk mund të luajë, kurse Vidal e nis nga stoli. Busquets dhe De Jong plotësojnë treshen e mesfushës. Në sulm, me Dembele të dëmtuar, Griezmann do të luajë krah Messit dhe Suarez.
FORMACIONI I MUNDSHËM I BARCELONËS: Ter Stegen, Semedo, Pique, Lenglet, Jordi Alba, Rakitic, Busquets, De Jong, Messi, Griezmann, Suarez.
Real Madrid vjen në këtë ndeshje me mungesa të rëndësishme, për shkak të dëmtimeve. Marcelo, Hazard, James Rodriguez, Asensio dhe Lucas Vasquez nuk janë nën urdhrat e trajnerit Zinedine Zidane, për shkak dëmtimesh. Në linjën e majtë të mbrojtjes pritet të pozicionohet Mendy, i cili së bashku me Carvajal, Varane e Ramos plotëson prapavijën.
Në mesfushë rikthehet Casemiro, i cili e ka shlyer pezullimin. Zbulimi Valverde dhe Toni Kross janë gjithashtu titullarë në qendër të këtij reparti, ndërkohë që për sulmin ka një dilemë. Benzema e Rodrigo pritet ta nisin nga fillimi dhe për vendin tjetër në formacion ka një duel mes Vinicius dhe Bale.
FORMACIONI I MUNDSHËM I REAL MADRID: Courtois; Carvajal, Varane, Ramos, Mendy; Kroos, Casemiro, Valverde; Rodrygo, Benzema, Vinicius. /abcnews.al