Luftërat për pushtet brenda Brukselit: Ursula Von der Leyen kundër Charles Michel

schedule11:21 - 30 Prill, 2021

schedule 11:21 - 30 Prill, 2021

NgaDavid M.Herszenhorn, Maïa de la Baume & Jacopo Barigazzi “Politico.eu”

Lufta se kush është udhëheqësi i vërtetë i Evropës nuk filloi me të ashtuquajturin “Sofagate”. Përkundrazi, episodi i ndodhur në Ankara ishte kulmi i shëmtuar i një lufte

të ashpër mbi atë se kush duhet ta përfaqësojë BE-në në skenën botërore, dhe që ka nisur thuajse menjëherë pas datës 1 dhjetor 2019, kur Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen mori detyrën së bashku me homologun e saj, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Kjo luftë u rikthye në mënyrë dramatike në vëmendjen e publikut të hënën, kur Von der Leyen deklaroi para Parlamentit Evropian se u trajtua në mënyrë seksiste gjatë vizitës që zhvilloi në Turqi. Ajo sulmoi direkt edhe pse jo me emër Michel për atë që ndodhi në Ankara:“Unë u ndjeva e lënduar dhe u ndjeva vetëm, si grua dhe si evropiane”.

Por nëse Von der Leyen do të kishte udhëtuar vetëm, asaj nuk do t’i ishte mohuar një karrige, gjatë kohës që do të takohej me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Dhe BE-ja do të kishte shmangur një incident të turpshëm, që ka zbuluar tensione të forta dhe një nivel të lartë mosbesimi të thellë midis dy zyrtarëve të saj.

Ai skandal, i ndodhur pikërisht gjatë një udhëtimi që synonte të shfaqte një front të bashkuar të BE-së përballë një partneri gjeopolitik të rëndësishëm, ishte emblematike e një rivaliteti të gjatë midis dy udhëheqësve të BE-së mbi politikën e jashtme.

Ai e ka dëmtuar seriozisht reputacionin ndërkombëtar të BE-së, duke ngritur dyshime në lidhje me aftësinë e Brukselit për të vepruar në skenën botërore, dhe ka rikthyer pyetjen nëse struktura e saj udhëheqëse është thelbësisht e gabuar.

Ursula Von der Leyen, ish-ministre gjermane e Mbrojtjes,që është gruaja e parë që drejton Komisionin Evropian, e shpalli që në fillim qëllimin e saj për të udhëhequr një “Komision gjeopolitik”. Dhe në javën e saj të parë në detyrë, ajo u nis drejt Etiopisë për t’u takuar me homologët e Unionit Afrikan, për të sinjalizuar një fokus të veçantë ndaj këtij kontinenti.

Por Michel, që ka qenë për 5 vite kryeministër i Belgjikës përpara se të zgjidhej president i Këshillit Evropian, kishte planet e tij për ta përfaqësuar BE-në jashtë vendit.

Në shkurt të vitit 2020, edhe ai zhvilloi një vizite në Etiopi për takime në kuadër të samitit vjetor të Unionit Afrikan. Konkurrenca midis dy presidentëve ishte qartazi në zhvillim të plotë. Në fakt, tensioni ishte shfaqur më herët, dhe praktikisht nga momenti kur Von der Leyen dhe Michel morën detyrat respektive.

Më 19 janar 2020, Michel, Von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për çështjet e jashtme, Josep Borrell, morën pjesë të gjithë bashkë në një konferencë në Berlin mbi luftën civile në Libi. Michel bëri deklaratën e tij, ndërsa Von der Leyen dhe Borrell bënë një deklaratë të përbashkët.

“Sigurisht ishte qesharake bërja e 3 ndërhyrjeve nga BE në Berlin. Por ata duhej të zgjidhnin kush do të fliste në emër të BE-së, dhe ishte logjike që ai të ishte presidenti i Këshillit Evropian”- thotë një diplomat që ka dijeni mbi planifikimin e takimit.

Por Von der Leyen dhe ekipi i saj nuk ishin të kënaqur. “Ata e urrenin Michel”- thekson zyrtari. Ndërkohë, në më pak se 3 javë pasi Michel kreu vizitën e tij në Adis Ababa, Von der Leyen shkoi sërish në kryeqytetin etiopian duke udhëhequr një delegacion të madh komisionerësh për një takim  në selinë e Unionit Afrikan.

Në atë kohë, disa zyrtarë afrikanë shprehën habi për interesin e papritur dhe intensiv nga Evropa, duke menduar se ndoshta udhëheqësit e rinj të BE-së po synonin të jepnin një lloj shfaqje për zgjedhësit në shtëpi. Por në prapavijë, këto vizita ishin dëshmi e një lufte nervash që po zhvillohej midis 2 presidentëve të BE-së.

Por tensioni institucional nuk është ndonjë gjë e re në BE, ku deri në 10 ose më shumë udhëheqës mund të pretendojnë titullin e “presidentit”. Dhe kacafytja është veçanërisht e zakonshme midis Komisionit, krahut ekzekutiv që zotëron të gjithë fuqinë e shërbimit civil të BE-së, autoritetit buxhetor dhe rregullator, dhe Këshillit që bashkon 27 krerët kombëtarë të shteteve dhe qeverive, të cilët në fund të fundit shërbejnë si bosët e bosëve në Bashkimin Evropian.

Këto përplasje të brendshme janë bërë edhe më të ashpra që kur Traktati i Lisbonës i vitit 2007, krijoi pozicionin e presidentit të përhershëm të Këshillit Evropian, një rol që më parë plotësohej nga udhëheqësi i cilitdo vend që mbante presidencën e radhës të Këshillit të

BE-së.

Për shembull kur BE-ja fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2012, Presidenti i Këshillit Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit José Manuel Barroso, mbajtën së bashku çmimin. Ndërkohë,paraardhësi i zonjës Von der Leyen, Jean-Claude Juncker, bëri thirrje për  ndërthurjen e 2posteve në fjalimin e tij të vitit 2017 .

“Evropa do të funksiononte më mirë nëse do të bashkonim presidencat në një të vetme”- tha Juncker, duke shtuar:“Evropa do të ishte më e lehtë për t’u kuptuar nga bota, nëse anijen

e drejton një kapiten i vetëm”.

Disa diplomatë dhe zyrtarë thonë se tensioni i madh midis Von der Leyen dhe Michel është çmimi që po paguan Këshilli Evropian për zgjedhjen e një lidershipi relativisht më të dobët, me shpresën e mbajtjes së BE-së të nënshtruar ndaj kryeqyteteve kombëtare.

Juncker kishte qenë kryeministër i Luksemburgut për 19 vjet me radhë, përpara se të merrte drejtimin e Komisionit Evropian në vitin 2014, ndërsa homologu i tij në Këshill, Donald Tusk, kishte qenë një politikan me përvojë në Poloni, ku shërbeu gati 7 vite si kryeministër.

Disa zyrtarë thanë në kushte anonimiteti se zonja Von der Leyen u përball me misionin e pamundur të daljes nga hija e mentores së saj Angela Merkel, për të cilën ajo shërbeu si drejtuese e 3 ministrive të ndryshme.

“Kur Merkel nuk është përreth, ajo dëshiron të jetë një superyll, por kur Merkel është aty, kjo e fundit e sheh ende si ministren e saj. Ato e njohin mirë dhe e pëlqejnë njëra-tjetrën. Por nuk janë moshatare. Dhe nëse e ndjen këtë, priresh ta mbivlerësosh tjetrin”- thotë një diplomat që e njeh mirë zyrtaren gjermane.

Tensionet mes Von der Leyen dhe Michel u përkeqësuan kur BE u zhyt në krizën e pandemisë së koronavirusit. Kohët e fundit, Von der Leyen nuk pranoi të nënshkruante propozimin e Michel për një traktat të ri ndërkombëtar mbi pandemitë, që ka fituar mbështetjen e më shumë se 100 udhëheqësve botërorë.

Ishte pikërisht disa ditë më vonë kur të dy shkuan në pallatin presidencial në Ankara, më 6 prill, dhe kur Michel zuri me shpejtësi vendin e tij pranë Erdoganit, duke lënë për disa momente në këmbë Von der Leyen, para se ajo të zinte vend në divanin jo shumë afër dy burrave.

Gjatë ditëve që pasuan incidentin e divanit, gjërat vetëm u përkeqësuan. Michel kërkoi ndjesë vetëm pas disa ditësh. Ndërsa shefi i stafit të Von der Leyen e theu protokollin duke i dërguar personalisht një letër presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, duke refuzuar një ftesë në emër të presidentes për festën e pavarësisë ukrainase, në të cilin Michel kishte rënë dakord të merrte pjesë.

Marrë me shkurtime

Nga Alket Goce për abcnews.al