“Luftë” për djathin dhe midhjet! Qeveria italiane merr masa

schedule23:07 - 3 Tetor, 2019

schedule 23:07 - 3 Tetor, 2019

Rreziku për një luftë tarifash tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian ka futur në “ethe” vendet e kontinentit të vjetër. Mes tyre, Italia po bëhet gati për të mbrojtur produktet e saj më prestigjoze si djathi, midhjet dhe pije te ndryshme.

Tarifat amerikane për produktet “Made in Italy”, që do të hyjnë në fuqi më 18 tetor, do të prekin me 25 për qind djathin, midhjet dhe pijet italiane.

Kështu thuhet në një listë të hartuar nga autoritetet amerikane, ku bëjnë përjashtim vetëm vaji i ullirit dhe vera.

Administrata Trump, sipas një zëdhënësi, shprehet megjithatë e gatshme të negociojë me BE-në për t’i zgjidhur nyjet e problemeve në tryezë.

Por rreziku për të thelluar klimën e tensionuar dhe për të arritur në një luftë të mirëfilltë tregtare ekziston dhe duke parë reagimin e tregjeve, do të kishte një efekt shkatërrues.

Situata ka shkaktuar reagimin e krerëve të shtetit italian. Vetë presidenti Serxho Matarela ka deklaruar se duhet të veprohet me përgjegjshmëri.

“Duhet të veprojmë me një përgjegjshmëri të madhe dhe të përbashkët. Zëvendësimi i politikave të bashkëpunimit me ato të konkurrencës nuk ndihmon”, ka thënë Matarela.

Ndërsa ministri i Jashtëm, Luixhi Di Maio, që në ditët e fundit u takua me sekretarin e Shtetit, Majk Pompeo ka deklaruar se do të bëjë gjithçka për të mbrojtur sipërmarrjet italiane.

“Do t’i mbrojmë me të gjitha forcat kompanitë italiane. E kam diskutuar çështjen edhe me sekretarin Pompeo dhe kemi nisur punën për një zgjidhje që mbron produktet ‘Made in Italy’”, ka thënë Di Maio.

Shefi i diplomacisë italiane ka theksuar se, një luftë tarifash do të dëmtonte edhe vetë Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, në Europë lista me produktet amerikane që do të bien pre e “hakmarrjes” është tashmë gati.

Ajo varion nga verërat kaliforniane tek arrat dhe lajthitë dhe nga çamçakëzat tek duhani./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!