“Luftë” me Ukrainën, fiton Shqipëria

schedule22:56 - 7 Shtator, 2024

schedule 22:56 - 7 Shtator, 2024

Sukses me të vërtetë historik. Shqipëria arriti fitoren e parë në historinë e saj ndaj Ukrainës, dhe e nisi me triumf të merituar edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Paraqitja e kuqezinjve në Pragë ishte një nga ato që nuk do të harrohen lehtë, e padyshim një konfirmim.

Pjesa e parë ishte shumë më e mirë edhe sesa shpresuan tifozët më optimistë.

Pas një fillimi të vështirë në minutat e para, kur rivalët bënë presion pranë zonës sonë dhe qarkulluan topin, kuqezinjtë morën masat tepër shpejt.

Jo vetëm që sulmet e Ukrainës, sidomos nga krahët, u bllokuan, por edhe u dominua mesfusha, edhe rastet erdhën radhazi.

Qazim Laçi, sërish Qazim Laçi, Rej Manaj, Jasir Asani e përsëri Laçi patën mundësi për të shënuar.

Çdo mundësi shënimi erdhi me anë të aksioneve të menduara dhe kombinimeve që e zunë në befasi kundërshtarin.

Që nga portieri Strakosha, tek Ismajli, Kumbulla e Mitaj në mbrojtje, Laçi, Asllani e Ramadani në mesfushë e Manaj në sulm, të gjithë treguan personalitet, madje edhe më shumë sesa në eliminatoret e kaluara të Kampionatit Europian.

Mesa duket tre ndeshjet e mëdha në Gjermani, ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës, ishin një përvojë tepër e madhe për ekipin e Silvinjos.

Braziliani ka merita të mëdha për këtë sukses, por ka edhe fat që nga stoli mund të hedhë në fushë një Arbër Hoxha apo edhe Medon Berisha, dhe që nuk e ka problem mungesën e Brojës, Dakut, Gjimshitit dhe Ajetit.

Kombëtarja tregoi se kualifikimi në Europian nuk ishte rastësi, dhe pas Çekisë e Polonisë, kaloi me meritë edhe Ukrainën, edhe kjo finaliste në Gjermani.

Natyrisht, kohë për të festuar nuk ka, dhe as nuk mund të mendohet për një ekip që dëshiron të jetë I madh.

Këtë të martë, në “Arenën Air Albania” vjen Gjeorgjia pasi shkatërroi Çekinë me shifrat 4-1.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!