Nga Simon Tisdall “The Guardian”
A mund ta përdorën Ukraina kohën si një armë? Për sa kohë që ekziston vullneti për të luftuar, ushtarët dhe qytetarët ukrainas mund të shpresojnë se do t’i lodhin,madje edhe t`i zmbrapsin pushtuesit rusë. Por dilema e tyre është e tmerrshme.
Ndërsa bombardimet e Vladimir Putin po bëhen gjithnjë e më barbare dhe pa asnjë dallim, kostoja njerëzore e rezistencës po rritet çdo ditë. Nëse ata vazhdojnë rezistencën, a do t’u vijnë në ndihmë fuqitë perëndimore, qoftë edhe me vonesë?
Koha nuk e favorizon aspak presidentin rus. Humbjet janë në rritje. Blitzkrieg-u (sulmi i rrufeshëm) ushtarak në stilin e nazistëve gjermanë nuk funksionoi. Thuhet se rekrutët e tij janë shumë të demoralizuar, dhe makineria e tij e luftës mund të ngecë. Kryeneçësia e tij po e rrënon ekonominë ruse.
Protestat në Rusi tregojnë një cënueshmëri të re politike të shefit të Kremlinit. Putin mund të akuzohet zyrtarisht për krime lufte nga prokurorët e krimeve të luftës në Hagë. Për çdo udhëheqës të arsyeshëm, një armëpushim i menjëhershëm, i shoqëruar nga një pretendim i rremë për fitore, do të ishte një rrugëdalje e qartë nga kjo situatë.
Por logjika dhe arsyeja, nuk luajnë asnjë rol në “mënyrën e të menduarit” të Putinit. Kjo katastrofë të kujton Irakun e vitit 2003. E si mund të besonte dikush se një pushtim në shkallë të plotë ishte një ide e mirë? Njeriu që Donald Trump e quan “gjeni”, por ezulton të jetë vërtet një budalla.
Për të shmangur humbjen – dhe në fund për të fituar – forcat ukrainase të rezistencës do të kenë nevojë për një mbështetje të qëndrueshme afatgjatë ushtarake, logjistike, financiare dhe të inteligjencës nga ana e Perëndimit. A do të qëndrojnë këtë herë aleatët në krah të ukrainasve, ndryshe nga sa ndodhi në Afganistan?
Avionët luftarakë të NATO-s nuk po shihen askund në qiejt e Ukrainës, dhe në ajër ndihet aroma e tradhtisë. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, dëshiron anëtarësimin e menjëhershëm të vendit të tij në Bashkimin Evropian. Ai u brohorit javën e kaluar nga Parlamenti Evropian.
Por ai nuk heq dorë nga kërkesa e tij. Kievi po kërkon me ngulm një zonë të ndalim-fluturimit të patrulluar nga NATO, për të ndihmuar në ndalimin e bombardimeve të pamëshirshme të qyteteve si Mariupol dhe Kharkiv. As kjo nuk po ndodh. Populli i Ukrainës është i vendosur të luftojë kundër pushtuesve.
Është e pamundur të mos i admirosh ata. Por është gjithashtu e pamundur, ose kështu të paktën po thonë udhëheqësit perëndimorë, që t’i mbrojnë ata nga masakrimi masiv. Një trimëri e tillë e treguar nga ukrainasit,vetëm sa e thekson përgjegjësinë e madhe që kanë qeveritë perëndimore.
Sidomos Britania dhe SHBA-ja, e kanë inkurajuar rezistencën, duke dërguar raketa dhe ndihma në armë vdekjeprurëse. Boris Johnson dhe Joe Biden po e portretizojnë konfliktin si një luftë përcaktuese midis lirisë dhe tiranisë, demokracisë dhe autoritarizmit.
Pra sipas tyre, ky nuk është lloji i luftës që ke luksin ta humbasësh. Shumica e vendeve evropiane, plus Australia, Japonia, Kanadaja dhe të tjerët, janë zotuar gjithashtu për mbështetje të hapur ndaj Ukrainës. Për herë të parë, BE-ja do ta furnizojë Ukrainën me armatime.
E gjitha kjo është shumë dramatike, ndoshta edhe në mënyrë të dyshimtë. A duhet t’u besojnë ukrainasit premtimeve të Perëndimit? Po sikur lufta të zgjasë 5 apo 10 vjet, gjë që nuk është e pazakontë për konflikte të tilla? Nxitja e një kryengritjeje në dukje të pafundme dhe gjerësisht destabilizuese, do të kërkojë guxim dhe qëndrueshmëri në Londër dhe kryeqytete të tjera.
Duke parë zgjedhjet e ardhshme, pak politikanë perëndimorë, shfaqin cilësi të tilla. Për shembull, sa kohë do të zgjasë zemërimi aktual i votuesve gjermanë mbi ndikimin e faturave dhe taksave më të larta për të paguar gazin që merret nga diku tjetër dhe jo nga Rusia, dhe mbi shpenzimet e rritura në fushën e mbrojtjes?Sa kohë do të qëndrojë Joe Biden i angazhuar ndaj Ukrainës nëse kriza shndërrohet në një luftë të stërzgjatur?
Pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor, pozita e Biden në vend mund të jetë shumë e dobët. Zëvendësuesit e tij të mundshëm në zgjedhjet e vitit 2024, si Donald Trump, kanë një pikëpamje shumë të ndryshme mbi NATO-n dhe Rusinë. Jetëgjatësia dhe besueshmëria e mbështetjes publike dhe politike për Ukrainën është në pikëpyetje.
Një tjetër çështje ka të bëjë me mënyrën se si të plotësohet nevoja e rezistencës për një fluks të pandërprerë armësh, ndihmë financiare dhe baza të sigurta jashtë territorit ukrainas.
Probabiliteti që luftëtarët e zhvendosur, plus një “legjion të huaj” evropian, të kërkojnë baza në vendet fqinje dhe njëherazi anëtare të NATO-s – nga të cilat do të nisin sulmet ndaj pushtuesve – është shumë i madh. Mos harroni se muxhahedinët që luftuan kundër Ushtrisë së Kuqe, dhe më vonë talebanët që luftuan kundër NATO-s, vepronin nga Pakistani.
Një luftë e gjatë ndërkufitare do të tërhiqte në mënyrë të pashmangshme edhe vendet e aleancës. Ajo do të shihej nga Putini si produkt jo i nacionalizmit të zjarrtë ukrainas, por i ndryshimit të regjimit të orkestruar nga SHBA-ja. Nëse me kalimin e kohës, Rusia vazhdon të pësojë humbje të konsiderueshme ndaj një rezistence të mbështetur nga Perëndimi, Putin do ta zhvendosë luftën drejt Perëndimit.
Ky është pikërisht përshkallëzimi i rrezikshëm, për të cilin Biden dhe NATO thonë se janë të vendosur që ta shmangin, gjë që supozohet se justifikon edhe refuzimin e tyre për vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit. Ai është skenari i makthit të “Luftës së Tretë Botërore”, kundër të cilit paralajmëron Ben Wallace, Ministri britanik i Mbrojtjes.
Por si ndalet Putini ndryshe?Po ashtu është e pasigurt aftësia e perëndimit për të ruajtur unitetin e pazakontë që u lavdërua nga Biden në fjalimin e tij të javës së kaluar. BE-ja është krenare për qëndrimin e saj të bashkuar dhe paketën e sanksioneve të ashpra kundër Rusisë.
Por dallimet e brendshme mbeten aty. Rusia fiton ende nga nafta dhe gazi që vazhdon t’ia shesë Evropës. Sanksionet bankare kanë boshllëqe të mëdha. Edhe regjimet më të mira të sanksioneve shkatërrohen me kalimin e kohës.
Dhe pavarësisht një mirëseardhje fillimisht bujare të BE-së, rritja e madhe e pritshme e numrit të refugjatëve ukrainas, nëse lufta do të zgjasë, do të thellojë tensionet ekzistuese në Evropë dhe Britaninë e Madhe. Ndërkaq po shtohen shqetësimet për një Putin të pamposhtur që mund të kërcënojë edhe ish-republikat e tjera sovjetike, siç e parashikon vetë Biden.
Argumenti disfatist është pak a shumë i tillë:Fatkeqësisht Ukraina është tashmë e humbur. Më mirë të përqendrohemi në sigurimin e republikave baltike dhe shteteve të tjera po aq të brishta, që të mos pësojnë fatin e saj. Paradoksi është se sa më e suksesshme dhe jetëgjatë të jetë rezistenca e Ukrainës, aq më të mëdha janë rreziqet për NATO-n.
Megjithatë, nëse duke e mbështetur atë, aleatët nuk mund ta shmangin përfundimisht tërheqjen në konflikt kundër Rusinë, atëherë pse ta vonojmë të pashmangshmen? Me fjalë të tjera:në vend se t’ua lënë luftimet dhe të vdekurit vetëm ukrainasve – dhe më pas t’i braktisin ata – demokracitë perëndimore duhet të vendosin në gatishmëri forcat e tyre luftarake ajrore, të deklarojnë qëllimin e tyre për të vendosur një zonë të ndalim-fluturimit, dhe t’i thonë Kremlini të ndalë masakrat.
Vrasja e të pafajshmëve nga Putini është e padurueshme, megjithatë ne jemi të detyruar t’i shohim këto tmerre. A do të luftojë Perëndimi deri në ukrainasin e fundit? Apo do të ngrihet dhe do të luftojë për vete? /abcnews.al