“Luftë e ftohtë”, sulmet kibernetike iraniane në Shqipëri, Nazarko: Mund të jetë përfshirë edhe Rusia, komenti për hakerat serbë

schedule12:01 - 14 Shtator, 2022

schedule 12:01 - 14 Shtator, 2022

Që prej 15 korrikut vendi ynë ka rënë pre e sulmeve kibernetike iraniane.

Sulmi i fundit ishte ai i 10 shtatorit në sistemin TIMS të policisë, që kontrollon hyrjet dhe daljet në Shqipëri. Si rrjedhojë kryeministri, Edi Rama njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Iranin.

Në lidhje me këtë, analisti Mentor Nazarko pohon në studion e “Abc Livë” se pas sulmeve kibernetike mund të fshihen edhe vende të tjera.

Sipas tij ka shumë gjasa që Rusia por edhe hakera serbë të jenë të përfshirë në sulmet kibernetike ndaj vendit tonë.

Nazarko e cilësoi sulmin kibernetik iranian, agresion, ndërsa tha se kjo është qartë një lojë gjeopolitike. Analisti pohon se Irani është në luftë të ftohtë me Shqipërinë, ndërsa thotë se ka informacione të sigurta se sulmet kanë nisur që prej vitit 2019.

“Irani është në një luftë të ftohtë me Shqipërinë është e qartë dhe informacionet që jemi sulmuar që nga 2019 janë informacione të besueshme. Në Shqipëri është opozita reale e Iranit, që synon të rrëzojë regjimin iranian. Sulmi kibernetik mund të jetë bashkëpunim ruso-iranian. Është lojë gjeopolitike, por mund të jetë e përfshirë edhe Rusia.
Në këtë sulm bëjnë pjesë dy shtete, pse jo edhe hakera që vijnë nga Serbia. Ky sulm kibernetik ka të gjitha cilësitë e agresionit”, tha analisti në studion e “Abc Live”./Abcnews.al/