Tensionet në rritje me Iranin kanë detyruar Shtetet e Bashkuara të dërgojnë një luftanije në Lindjen e Mesme. Për Uashingtonin, kjo lëvizje është një mesazh i qartë për Republikën Islamike, se çdo agresion ndaj interesave të Amerikës do të ketë pasoja të rënda.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një luftanije në Lindjen e Mesme për t’i dhënë një mesazh të qartë Iranit. Këshilltari për sigurinë kombëtare, John Bolton ka deklaruar se dërgimi i luftanijes është reagim ndaj një seri sinjalesh shqetësuese dhe përshkallëzuese që vijnë nga Republika Islamike.
Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, që citon një zyrtar amerikan në kushte anonimati, dërgimi i mjetit është bërë pas dyshimeve për një sulm të mundshëm ndaj forcave amerikane. Këshilltari Bolton shtoi se Amerika do të kundërveprojë me forcë ndaj çdo sulmi.
“Shtetet e Bashkuara po vendosin luftanijen “Abraham Lincoln” pranë Komandës Qendrore Amerikane në Lindjen e Mesme për t’i dërguar një mesazh të qartë regjimit iranian, se çdo sulm ndaj interesave të Amerikës apo aleatëve të saj do të përballet me një forcë të pandalshme”, deklaroi Bolton.
Këshilltari i presidenti Donald Trump theksoi se, Uashingtoni nuk po kërkon luftë me regjimin iranian, por thjesht po përgatitet për të reaguar ndaj çdo agresioni që mund të kryejnë Garda Revolucionare Iraniane, ose trupat e rregullta ushtarake.
Luftanijia “Abraham Lincoln” më herët ishte në Europë për një stërvitje me aleatët e Shteteve të Bashkuara, që u krye në fund të muajit Prill./ABC News Albania 24/7