Entuziazmi ishte me të vërtetë I madh.
Jo se kombëtarja e Francës kaloi keq me ish-trajnerin Didie Deshamp, edhe ai një hero I madh në fushë e në stol, por gjithsesi hareja është e plotë tani që Zinedin Zidan u emërua trajner I “gjelave”.
Gjithsesi, përtej akordit që ishte I plotë dhe të punës që pritet të jetë në harmoni të plotë, në botën e sotme tepër të ndërlidhur dhe me shumë interesa, ekziston një përplasje.
Kjo ka të bëjë me kontratat e sponsorizimit, pasi Federata Franceze e Futbollit është e lidhur me kompaninë amerikane të veshjeve sportive, Najk (Nike), ndërsa Zidan ka 30 vjet që është përfaqësues I kompanisë së madhe gjermane, Adidas.
Kjo pyetje u bë edhe në konferencën për shtyp gjatë prezantimit, dhe presidenti I Federatës, Dialo, theksoi se do të ketë një ujdi ashtu siç është bërë me disa nga lojtarët.
Zidan do të lejohet të veshë këpucët e tij Adidas, ndërsa uniforma sportive do të jetë në përputhje me interesat e Federatës, me Najk (Nike).
Natyrisht, nuk pritej që këto kontrata të dëmtonin punën e Zizusë në stolin e ish-nënkampionëve të botës.
Trajneri që fitoi tri herë Championsin me Realin e Madridit, që fitoi Kupën e Botës si futbollist I Francës, është shpresa e madhe që titulli botëror të fitohet përsëri, këtë herë për herë të tretë pas atyre në 1998 e 2018.


