Lufta tregtare me Kinën dëmton bizneset amerikane

schedule09:43 - 18 Qershor, 2019

schedule 09:43 - 18 Qershor, 2019

Bizneset dhe shoqatat tregtare amerikane po i thonë administratës Trump se shkallëzimi i luftës tregtare me Kinën do të dëmtojë familjet, vendet e punës dhe ekonominë amerikane.

Duke filluar që këtë javë, Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë në SHBA do të zhvillojë seanca dëgjimore për shtatë ditë, në të cilat do të shqyrtohet shtimi me 25 për qind i tarifave ndaj pothuajse të gjitha importeve kineze që nuk janë prekur ende nga taksat.

Në një deklaratë për Zyrën e Përfaqësuesit të Tregtisë, Dhoma Amerikane e Tregtisë tha se “ka alternativa më të mira për trajtimin e politikave dhe praktikave të Kinës, që nuk do të kishin të njëjtat ndikime negative mbi konsumatorët, bizneset dhe komunitetet lokale të Shteteve të Bashkuara. Tani është koha për t’u kthyer në diskutime serioze dypalëshe,” – thuhet në deklaratën e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Më shumë se 600 kompani dhe shoqata të tjera tregtare, në mesin e tyre kompantë Walmart dhe Target, nënshkruan një letër, me nismën e një koalicioni biznesi, ku thuhet se tarifat e reja dëmtojnë ekonominë amerikane. Presidenti Trump tashmë ka vendosur tarifa prej 25 për qindsh ndaj mallrave kineze me vlerën e 250 miliardë dollarëve. Në letër i bëhet thirrje Shtëpisë së Bardhë që t’i heqë tarifat, duke thënë se ato do të kenë “një ndikim negativ afatgjatë tek bizneset amerikane, fermerët, familjet dhe ekonomia amerikane”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!