Efektet e konfliktit në Lindjen e Mesme janë reflektuar në ekonominë shqiptare me ritme të moderuara .Sipas të dhënave të INSTAT gjatë muajit mars në vend u regjistrua shtrenjtim i çmimeve të cilat shtynë inflacionin në nivelin 2.6% nga 2.1% një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT ky është niveli më i lartë i inflacionit i regjistruar në dy vjet, që nga shkurti i vitit 2022 por përsëri mbetet nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore parashikon se indeksi i çmimeve do të kthehet në objektivin prej 3% brenda këtij viti.
Sipas INSTAT rritja e çmimeve u ndikua kryesisht nga grupi “Transporti” me 7,1 %, pasuar nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,4 %.
Shtrenjtimi i transportit u ndikua direkt nga çmimet e naftës të cilat gjatë muajit mars arritën nivele tepër të larta si pasojë e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Ndërkohë që në vendin tonë një litër naftë po tregtohet me 224 lekë për litër. Megjithatë pas armëpushimit edhe në tregjet shqiptare pritet të kemi një stabilizim të çmimeve duke nisur që nga nafta e për të vijuar më pas edhe te shërbimet apo produktet ushqimore.
Sipas Bankës së Shqipërisë ndonëse pasiguria dhe rreziku për ekonominë shqiptare mbetet i lartë , vendimmarrja për lehtësim të politikës monetare do të vijojë të mbështetet në analizën e të dhënave më të fundit ekonomike dhe financiare.
Ndërkohë që edhe Inflacioni pritet te rritet edhe në Eurozonës në rreth 2.5% në mars nga 1.9% në shkurt, i nxitur nga një rritje e ndjeshme e çmimeve të energjisë.


