Lufta, rruga e vetme e Putinit për të ruajtur popullaritetin në mesin e rusëve

schedule10:11 - 26 Mars, 2022

schedule 10:11 - 26 Mars, 2022

Kseniya Kirillova “Center for European Policy Analysis

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Sipas të dhënave sociologjike, mbështetja për presidentin rus Vladimir Putin dhe luftën e tij në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, mbetet mjaft e lartë. Nëse zgjedhim t’i besojmë qendrave sociologjike pro-qeveritare, popullariteti i tij është rritur së fundmi me disa për qind.

Megjithatë, Kremlini nuk ka burime të mjaftueshme për të ruajtur vlerësime kaq të larta. Sociologët e pavarur pajtohen se të paktën 2/3 (sipas disa burimeve, tre të katërtat) e rusëve mbështesin luftën.

Edhe pse disa paralajmërojnë se këto të dhëna nuk mund të jenë plotësisht të besueshme, pasi njerëzit kanë frikë të thonë atë që mendojnë, nga frika e ndjekjes penale. Por cilido qoftë niveli real i pranimit të kësaj lufte që gjeneron propaganda shtetërore, është e qartë se kjo përqindje do të fillojë të bjerë me përkeqësimin e standardit të jetesës dhe rritjen e humbjeve ushtarake.

Anëtarët e Komitetit Rus kundër Luftës, më thanë se sociologët po shohin një zhgënjim në rritje me të ashtuquajturin “operacion special ushtarak”, madje edhe në zonat rurale dhe qytetet e vogla, ku mbështetja për luftën ka qenë tradicionalisht më e lartë se në Moskë dhe Shën Petersburg.

Arsyeja është se lajmet për vdekjen e të rinjve nga këto zona përhapen shumë më shpejt në shoqëritë “kompakte”, ku njerëzit njihen personalisht me njëri-tjetrin. Njëkohësisht, Putinit

i kanë mbetur më pak burime në dispozicion për të forcuar kontrollin e tij në pushtet. Tradicionalisht, mjeti për të tubuar rusët rreth një udhëheqësi kombëtar ka qenë përforcimi i idesë së një kërcënimi të jashtëm, pra krijimi i një ndjenje të vazhdueshme se Rusia është e rrethuar nga armiq.

Është kjo narrativë propagandistike, të cilën autoritetet e kanë përdorur me sukses për të paktën 8 vitet e fundit, që kur Putin e nisi luftën e tij të parë kundër Ukrainës. Edhe 6 muaj para pushtimit të dytë, sipas Qendrës Levada 83 për qind e popullsisë së vendit besonte se Rusia ishte e rrethuar nga armiqtë.

Megjithatë, krijimi i armiqve të supozuar të jashtëm krijon mbështetje pasive dhe jo aktive për Vladimir Putinin. Njerëzit që besonin se Rusia përballet me sulme nga ana e fuqive të huaja, nuk ishin të prirur të protestonin kundër qeverisë.

Shumë njerëz e konsideronin Putinin një lider më pak sesa ideal, por gjithsesi e shihnin atë si më të voglin nga dy të këqijat. Kjo qasje e tillë është vërejtur si para vitit 2014, ashtu edhe së fundmi, gjatë viteve 2018-2021. Megjithatë, kjo nuk krijon një dëshirë për të nisur luftëra të huaja dhe për të bërë sakrifica të mëdha, përfshirë rënien e ndjeshme të standardeve të jetesës dhe vdekjen apo copëtimin e djemve të tyre.

Nën këtë sfond, Kremlini ka nevojë për fitore ushtarake, përpara se të bëhen të dukshme kontradiktat në propagandën e tij. Tashmë ne kemi vënë re se propaganda ruse ka përdorur 2 narrativa kontradiktore.

Nga njëra anë, Moska po përpiqet të provojë se lufta në Ukrainë ishte një hap i detyruar, dhe një Rusi “paqedashëse” thjesht nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër. Nga ana tjetër, propaganda nuk e fshehu faktin se qëllimi fillestar i Rusisë ishte të shkatërronte rendin ekzistues botëror. Kjo kontradiktë vazhdon ende.

Propagandistët rusë diskutojnë hapur nëse ishte më e dobishëm pushtimi i Ukrainës tani apo gjatë agresionit më të kufizuar që ndodhi në vitin 2014. Ata arritën në përfundimin se megjithëse Ukraina ishte më e dobët në vitin 2014, Rusia nuk ishte ekonomikisht e gatshme për sanksione të tilla serioze që ka vendosur sot Perëndimi. Për fat të mirë, thonë ata, shteti është përgatitur më mirë gjatë 8 viteve të fundit për një ekonomi të luftës.

Kështu, propagandistët e pranojnë hapur se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës dhe planifikoi ta bënte këtë gjë edhe para se të propagandonte histori të rreme mbi armët bërthamore apo biologjike në shtetin e saj fqinj, “gjenocidin” e supozuar ndaj popullsisë ruse në Donbas, dhe pretekste të tjera për agresionin.

Shumica e rusëve nuk reflektojnë mbi këto kontradikta. Megjithatë, Kremlini ka gjithnjë e më pak burime për të mbështetur besimin popullor mbi një Rusi të fortë, të aftë për të mbrojtur veten, dhe për ta detyruar Perëndimin që ta respektojë atë.

Dështimi i “Blitzkrieg” të premtuar në Ukrainë e lë Putinin me pak fitore të rëndësishme ushtarake për t’i ofruar elektoratit të tij. Tek e fundit, 20 qytetet më të mëdha të Ukrainës mbeten në duart e qeverisë. Një nga opsionet për iluzionin e fitores, mund të krijohet përmes një marrëveshjeje kompromisi me Ukrainën.

Por duke pasur parasysh ekuilibrin aktual të armëve, dhe me Ukrainën që është në fakt në gjendje të nisë disa aksione ushtarake sulmuese, është shumë e dyshimtë nëse presidenti Zelensky dhe ekipi i tij do të bien dakord për kompromise të ndonjë rëndësie të madhe.

Për më tepër, në hapësirën informative ruse, ka një kontradiktë të madhe ndaj vetë idesë së nënshkrimit të një traktati të ekuilibruar për paqe.

Përfaqësuesit e “palës së luftës” e kanë quajtur tashmë delegacionin negociator të Rusisë si “tradhtarë të ushtrisë dhe Komandantit Suprem të Përgjithshëm”, dhe janë të bindur se zbatimi i çdo marrëveshjeje është i mundur vetëm pas dorëzimit të Ukrainës.

Opsioni i dytë do të ishte që të luhej me ndjenjën anti-oligarke, që ishte e fortë në Rusi shumë kohë përpara fillimit të luftës. Tani, tema e hakmarrjes kundër të ashtuquajturve “liberalë sistematikë” po debatohet në mënyrë aktive në Rusi.

Po ashtu, propagandistët pretendojnë se në qeverinë ruse ekziston një grup që përbën të ashtuquajturën “Kolona e Gjashtë”, tradhtarë të fshehur që kanë punuar gjithë këto vite

për llogari të Perëndimit. Në këtë situatë të imagjinuar, lufta është mënyra e vetme për ta ndryshuar ekonominë e Rusisë, situatën në tërësi, dhe për ta zgjidhur përfundimisht problemin e “tradhtarëve në pushtet”.

Putin e ushqen këtë ide. Duke folur për mediat më 16 mars, ai njoftoi një valë të re represioni, duke deklaruar nevojën për një “vetëpastrim natyral të shoqërisë” nga “llumrat dhe tradhtarët”. Gjithsesi, kërkimi i tradhtarëve jo midis rusëve të zakonshëm, por midis zyrtarëve dhe oligarkëve, mund t’i mbajë jo vetëm njerëzit nën terror, por edhe të rrisë mbështetjen e qeverisë nga qytetarët.

Për më tepër, raprezaljet kundër “oligarkëve të urryer” mund të legjitimojnë shtypjen në sytë e rusëve, ndërsa pa një legjitimim të tillë, ato mund të fillojnë shpejt të shkaktojnë një reagim negativ.

Krijimi i terrorit midis të pasurve dhe të fuqishmëve, i shërben një qëllimi kryesor dytësor; duke lejuar çrrënjosjen e atyre që mund të tentonin një grusht shteti në pallat. Pasi ka vënë bast mbi një luftë, për të cilën ai ishte përgatitur dobët, Putin duket se nuk ka mundësi të tjera për mobilizimin e popullsisë, përveç përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore ose armëve të tjera të shkatërrimit në masë. Në këtë pikë, Putini dhe Rusia do të kenë probleme shumë më serioze sesa popullariteti i presidentit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!