Lufta pas ndeshjes!

schedule10:58 - 24 Maj, 2022

schedule 10:58 - 24 Maj, 2022

Nga Edi Oga

Tirana ka njohur disa herë kolapse të tilla të organizuara deri në detaje. Raste kur qytetarët kanë lëshuar gjithçka nga rutina dhe rehatia e tyre për të pritur të huaj të rëndësishëm.

Kujtoj bllokimet në kryeqytet gjatë vizitave të presidentit Bush, papa Françeskut, kancelares Merkel, etj. Ndryshimi i atyre rasteve me këtë të këtyre ditëve është se në ato vizita ne prisnim vetëm një njeri të shquar dhe të parrezikshëm, teorikisht të rrezikuar, kurse në këtë rast ne presim dhjetëra mijëra njerëz të zakonshëm, euforikë dhe potencialisht të rrezikshëm. Megjithatë, “izmetin” ua kemi bërë njësoj.

Ua kemi dorëzuar qytetin disa ditë duke u munduar të përshtatemi në të përditshmen tonë për të pasur sa më pak dëme.

Këtë e bëjmë nga mikprikja dhe bujaria që na karakterizon (!), nga nevoja për t’u faktorizuar ndërkombëtarisht por sidomos nga ideja e parasë “së thatë” që do të vërshojë në kryeqytet për këtë rast.

Bëhet fjalë për një “xhiro” që mund të mbërrijë në deri 100 milionë Euro! Për të ndarë kaq shumë para, edhe armiqtë më të përbetuar në Botë do ta ndalnin luftën për ca kohë.

Kjo po ndodh edhe këtu tek ne. Sapo të përfundojë ndeshja e futbollit ku Roma apo Fejnord do të ngrenë në ajër kupën e triumfit, do të rinisë ndeshja për Federatën e Futbollit, pikërisht nga aty ku e kanë lënë.

Nuk do të jetë një ndeshje, do të jetë një luftë me shumë beteja, për të shtënë në dorë me çdo kusht, një “minierë ari’. Le të fitojë më i forti. Mua do më pëlqente Roma, në fakt!

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!