Polonia, Gjermania dhe Franca do të mbajnë një samit të premten në Berlin për të diskutuar ndihmën e Ukrainës, sipas një njoftimi të kryeministrit polak Donald Tusk.
“Të premten, do të jem në Berlin me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz për të diskutuar situatën,” tha Tusk.
Tusk dhe presidenti polak Andrzej Duda u pritën dje në Uashington nga presidenti amerikan Joe Biden, administrata e të cilit ka treguar, pavarësisht bllokadës në Kongres, mbështetjen e saj për Ukrainën duke njoftuar ndihmë të re ushtarake për Kievin.
Samiti trepalësh vjen në një kohë kur marrëdhëniet franko-gjermane janë dobësuar.
Polonia, një nga aleatët më të vendosur të Kievit, u ka bërë vazhdimisht thirrje partnerëve të saj perëndimorë që të rrisin shpenzimet për ndihmën ushtarake për të kundërshtuar pushtimin rus.
Polonia, e cila tani ka një qeveri të re pro-europiane, po përpiqet të forcojë bashkëpunimin me Berlinin dhe Parisin përballë Moskës.
“Për mendimin tim, këto tre kryeqytete kanë detyrën dhe fuqinë për të mobilizuar të gjithë Europën” për të ofruar ndihmë të re për Ukrainën, vlerësoi Tusk.
/abcnews.al