Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Lufta në Ukrainë po përshkallëzohet: SHBA të krijojë bazat për zgjidhjen diplomatike të konfliktit

schedule11:21 - 12 Tetor, 2022

schedule 11:21 - 12 Tetor, 2022

Nga Alexander Gabuev “Financal Times

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Sulmet e fundit të Rusisë ndaj qyteteve të Ukrainës, përbëjnë një kujtesë të trishtë se ngjarjet më të tmerrshme të kësaj lufte të shëmtuar janë ende përpara nesh. Por ato tregojnë edhe diçka më të thellë: oreksin e Vladimir Putinit për përshkallëzimin e konfliktit, dhe natyrën emocionale të vendimmarrjes së tij.



Në kushte kur Ukraina po shfaqet gjithnjë e më fitimtare në fushën e betejës konvencionale, kundërpërgjigja e Kremlinit po bëhet gjithnjë e më kaotike, jo proporcionale dhe shkatërruese. Sulmet ajrore pa dallim të së hënës, erdhën si hakmarrje për hedhjen në erë të Urës së Kerçit që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë.

Për Kremlinin, kjo urë mundëson jo vetëm kalimin e furnizimeve ushtarake, por është edhe një simbol i trashëgimisë së Putinit si sundimtari që ia ktheu Krimenë Nënës Rusi. Sulmi që ndodhi vetëm një ditë pas ditëlindjes së 70-të të Putinit, duhet të ketë zemëruar akoma më shumë presidentin rus.

Përgjigja e Kremlinit ndaj këtij akti, përmban 2 leksione shumë domethënëse. Së pari, Rusia ka ende një paketë të gjerë mjetesh për përshkallëzimin e konfliktit. Ngjarjet tragjike të 10 tetorit, janë një kujtesë se asnjë pjesë e Ukrainës nuk është e sigurt nga sulmet ruse.

Për pasojë nuk është i mundur asnjë rikthim në shkallë të plotë të refugjatëve dhe asnjë rindërtim i infrastrukturës. Sulmet e dyshuara kundër infrastrukturës jetike gjermane tregojnë se edhe territori i NATO-s është gjithashtu i prekshëm ndaj tyre.

Leksioni i dytë është reagimi i Putinit ndaj pengesave poshtëruese. Ai nuk do të tërhiqet, por do të përshkallëzojë veprimet, pa marrë parasysh pasojat strategjike të veprimeve të tij.

Për shembull, sulmet ajrore do të sjellin me shumë gjasa një mbështetje më të madhe perëndimore për Kievin, përfshirë dorëzimin e shpejtë të sistemeve shumë të nevojshme të mbrojtjes ajrore, dhe do të forcojnë më tej vullnetin e Ukrainës për të luftuar agresorin rus.

E megjithatë, Putin urdhëroi sulmet e së hënës. E njëjta qasje nxiti reagimin e tij katastrofik ndaj protestave në sheshin Maidan në Kiev në vitin 2014 dhe vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën. Leksione të tilla janë gjithnjë e më të rëndësishme.

Sukseset ushtarake të Ukrainës dhe paaftësia e Kremlinit për t’iu kundërvënë atyre në mënyrë konvencionale, mund ta sjellin Perëndimin shumë më pranë përshkallëzimit të përplasje me një superfuqi bërthamore. Duke pasur parasysh sjelljen emocionale të Putinit, ky moment mund të mbërrijë shumë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme, duke i lënë vendimmarrësve më pak kohë për t’u përgatitur.

Deklarata e qartë e presidentit amerikan Joe Biden mbi kërcënimin e përdorimit të armëve bërthamore nga Putin, tregon se Shtëpia e Bardhë është shumë e vetëdijshme mbi rrezikun e përshkallëzimit të situatës.

Për arsye të kuptueshme, Uashingtoni dëshiron që të ruajë në publik qasjen e “paqartësisë strategjike”. Por privatisht po ia komunikon pikëpamjet e tij Kremlinit. Por përpjekjet për të përdorur një kombinim sanksionesh të reja, më shumë izolim diplomatik dhe ndoshta më shumë sulme konvencionale të NATO-s kundër objektivave ushtarake ruse në Ukrainë, për ta penguar një Putin të dëshpëruar të përdorë armë të shkatërrimit në masë, nuk janë aspak të garantuara të kenë sukses.

Për të përmirësuar shanset e parandalimit të një përballje bërthamore, duhet të hidhen që tani bazat për fillimin e negociatave diplomatike. Duke pasur parasysh rreziqet por edhe emocionet në nivele të larta, hapësirë për diplomacinë ka të ngjarë të krijohet në momentin më dramatik.

Për shembull, në momentin kur Putini të nisë të bëjë gati armët e tij bërthamore, proces që do të jetë i dukshëm për NATO-n, dhe që do të përfshijë shumë sinjalizime nga Moska. Vetëm atëherë publiku ukrainas dhe ai perëndimor, mund të binden se ekziston një nevojë urgjente për të negociuar.

Bisedimet do të duhet të përfshijnë edhe presidentin Joe Bidenin, pasi Kremlini e konsideron atë si kreun e vetëm të vërtetë të koalicionit kundërshtar. Po ashtu është thelbësor një koordinim i ngushtë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe NATO-n.

Sa më shpejt që të nisin bisedat e sinqerta, me dyer të mbyllura, aq më e madhe do të jetë mundësia për të shtensionuar situatën. Së fundi, duke pasur parasysh dallimet e papajtueshme midis Moskës dhe Kievit për çështje thelbësore si statusi i Krimesë dhe Donbasit, si dhe nevojën morale të Ukrainës dhe Perëndimit për të mos shkëmbyer territore në këmbim të paqes, mund të bihet dakord vetëm për një armëpushim që do të ngrijë linjat e frontit dhe jo një zgjidhje gjithëpërfshirëse për luftën.

Shënim:Alexander Gabuev, anëtar i think-tankut “Carnegie Endowment for International Peace”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!