“Çdo konflikt duhet të zgjidhet përmes negociatave”, tha Kina, duke iu referuar një konference që do të mbahet në Zvicër në qershor mbi bazën e propozimit të paqes të Kievit për luftën në Ukrainë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian tha se presidenti kinez Xi Jinping i ka thënë tashmë kancelarit gjerman Olaf Scholz se Pekini inkurajon “të gjitha përpjekjet që çojnë në një zgjidhje paqësore të ‘krizës’ në Ukrainë.
Lin vuri në dukje se megjithëse konferenca është ende “në një fazë përgatitore”, vendi i tij është i gatshëm të ruajë komunikimin me të gjitha palët.
Zëdhënësi kujtoi se Xi i tha Scholz se bisedimet duhet “të trajtojnë të gjitha propozimet e paqes në mënyrë të barabartë”.
Scholz i bëri thirrje Xi-t të përdorë ndikimin e tij me Moskën për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe përsëriti nevojën për të parandaluar dërgimin e mjeteve ushtarake në Federatën Ruse.
“Fjala e Kinës ka peshë në Rusi. Prandaj i kërkova presidentit Xi të ushtrojë ndikim në Rusi në mënyrë që Putini të ndalojë një herë e mirë kryqëzatën e tij të çmendur, të tërheqë trupat e tij dhe t’i japë fund kësaj lufte të tmerrshme”, tha kancelari gjerman.
/abcnews.al