Lufta në Ukrainë/ Moska i thotë ‘jo’ ndërmjetësimit kinez

schedule14:34 - 6 Prill, 2023

schedule 14:34 - 6 Prill, 2023

Kremlini ka përjashtuar ndërmjetësimin e mundshëm të Pekinit për paqen në Ukrainë, duke thënë se Moska nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë luftën.

“Situata me Ukrainën është e ndërlikuar. Nuk ka perspektivë për një zgjidhje politike. Dhe tani për tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vazhdojmë operacionin special ushtarak”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskov u pyet për mundësinë e një ndërmjetësimi kinez pasi presidenti francez Emmanuel Macron tha nga Pekini se  Xi Jinping mund ta bënte të arsyetonte Putinin.

Pekini ka paraqitur prej muajsh një plan paqeje prej 12 pikash për Ukrainën, por zyrtarisht ka mbajtur një qëndrim neutral.

Presidenti kinez Xi nuk e ka dënuar pushtimin rus dhe as nuk ka folur ende me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ukraina thekson se paqja do të vijë pas tërheqjes së forcave ruse nga territoret ukrainase. Moska, nga ana e saj, dëshiron që Kievi të heqë dorë nga pesë rajonet ukrainase që Vladimir Putin i ka aneksuar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!