Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah limitet e konkurrencës midis fuqive të mëdha

schedule08:48 - 5 Korrik, 2022

schedule 08:48 - 5 Korrik, 2022

Nga Joseph S.Nye Jr. “National Interest”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Zgjedhjet strategjike me të cilat do të përballemi pas përfundimit të luftës në Ukrainë, do të varen nga ajo se kur dhe si do të përfundojë ajo. Megjithatë, mund të vlerësojmë sfidat kryesore ndaj interesave dhe vlerave amerikane, dhe si janë ndikuar ato nga kjo luftë.

Ne amerikanët do të kemi të paktën 3 interesa jetike: marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë, kërcënimet transnacionale, si ndryshimet klimatike dhe pandemitë dhe ruajtjen e një rendi të bazuar në rregulla të favorshme për vlerat tona. Vlerësimet e së ardhmes, nënvlerësohen shpeshherë nga ngjarje të paparashikueshme.

Megjithatë, kur politikë-bërësit gjenden përballë të panjohurave, kjo i ndihmon për të pasur një ndjenjë të përgjithshme orientimi. Që nga viti 2017, strategjia jonë e sigurisë kombëtare, është fokusuar në konkurrencën midis fuqive të mëdha, me fokus Kinën dhe Rusinë.

Në muajt para luftës aktuale, të dyja këto vende i premtuan miqësi të përjetshme njëra-tjetrës, si një aleancës vendesh autoritare. Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se era e Lindjes po mbizotëronte mbi Perëndimin. Ky slogan duket më pak bindës pasi pushtimi i Vladimir Putin e ringjalli Perëndimin, raporton abcnews.al.

NATO nuk dukej më në “gjendje kome” (siç ishte shprehur pak vite më parë presidenti francez Emmanuel Macron). Dhe Rusia, me një ekonomi të dobët, sa 1/10 e asaj të Kinës dhe me një imazh ushtarak të dëmtuar, duket gjithnjë e më shumë tani si partnerja e vogël e këtij boshti.

Diskutimi se si mund të ri-integrohet në sistemin ndërkombëtar Rusia e pasluftës, do të jetë një sfidë e rëndësishme për politikën e jashtme. Edhe para luftës, strategjia jonë e konkurrencës së fuqive të mëdha kishte dy probleme.

Së pari, ajo kishte grumbulluar në një koalicion lloje shumë të ndryshme shtetesh, një fuqi në rënie dhe një fuqi në rritje. Siç e zbuloi për fat të keq bota në 1914, dhe sërish këtë vit, një fuqi në rënie është shpesh më tolerante ndaj rrezikut.

Rusia është në rënie demografike dhe ekonomike, por zotëron burime të mëdha si një planprishëse, nga armët bërthamore dhe kibernetike në Lindjen e Mesme deri tek kërcënimet ndaj fqinjëve të saj. Shtetet e Bashkuara do të kenë nevojë për një strategji të tillë ndaj Rusisë, që nuk do ta lërë këtë të fundit përgjithmonë në një aleancë me Kinën.

Një problem i dytë me një strategji që fokusohet vetëm në rivalitetin midis fuqive të mëdha, është vëmendja e pamjaftueshme ndaj një lloji të ri kërcënimi ndaj interesit tonë kombëtar, i cili lind nga globalizimi ekologjik. Ndryshimi global i klimës do të kushtojë triliona dollarë, dhe mund të shkaktojë dëme të ngjashme me një luftë.

Pandemia e Covid-19 u ka marrë tashmë jetën mbi 1 milionë amerikanëve – më shumë se sa në të gjitha luftërat tona të marra së bashku që nga Lufta Civile. Disa politikanë po e quajnë situatën aktuale një “Luftë të Re të Ftohtë”, dhe po kërkojnë një politikë të izolimit dhe kontrollit.

Por kjo metaforë historike, e keqinterpreton sfidën strategjike me të cilën përballemi aktualisht. Në Luftën e Ftohtë të vërtetë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kishin shumë pak tregti dypalëshe apo kontakte shoqërore, ndaj izolimi kishte kuptim.

Por sot, Kina është partnerja më e madhe tregtar për më shumë vende sesa Shtetet e Bashkuara. Ne duhet të kufizojmë rreziqet e sigurisë në disa aspekte të teknologjisë, por përpjekja për ta kufizuar të gjithë tregtinë me Kinën do të ishte shumë e kushtueshme.

Kostot reale për ekonominë botërore nga sanksionet tona aktuale kundër Rusisë, do të dukeshin qesharake në krahasim me ato të dhënies fund të raporteve tregtare me Kinën.

Për më tepër, edhe nëse dhënia fund e globalizimit ekonomik do të ishte e mundur apo e dëshirueshme, ne nuk mund ta shkëputim ndërvarësinë ekologjike që u bindet ligjeve të biologjisë dhe fizikës, dhe jo politikës. Këto fakte nuk janë ndryshuar as nga lufta në Ukrainë.

Një strategji e mirë, do të kërkojë që Shtetet e Bashkuara të bashkëpunojnë me Kinën në të njëjtën kohë kur ne konkurrojmë me Pekinin si rivalë strategjikë. Siç thotë ish-kryeministri australian Kevin Rudd, objektivi i konkurrencës së fuqive të mëdha me Kinën nuk është fitorja totale mbi një kërcënim ekzistencial, por më tepër “konkurrenca e menaxhuar strategjike”.

Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, dhe disa analistë besojnë se PBB-ja e saj (me kursin aktual të këmbimit në tregje) mund ta kalojë atë të SHBA-së në vitet 2030. Por Kina përballet me një sërë problemesh ekonomike, demografike dhe politike, raporton abcnews.al.

Norma e saj e rritjes ekonomike po ngadalësohet, produktiviteti i saj total është i ulët, forca e saj punëtore arriti kulmin në vitin 2015, dhe ka pak aleatë politikë. Së bashku me Rusinë, ajo përfaqëson vetëm 1/5 e ekonomisë botërore, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Evropa përfaqësojnë gjysmën.

Me fjalë të tjera, edhe nëse Lufta e Ukrainës e lidh Rusinë me Kinën deri në një epokë post-Putin, demokracitë perëndimore do të kenë kapacitetin për të organizuar një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, të aftë për të ndikuar në sjelljen e Kinës.

Ruajtja e këtyre aleancave, duhet të mbetet në qendër të strategjisë sonë pas luftës në Ukrainës. Shtetet e Bashkuara kanë një interes kryesor në lidhje me stabilitetin dhe rendin ndërkombëtar. Kur flasim për këtë të fundit, ne i referohemi shpesh dy gjërave: shpërndarjes ose ekuilibrit bazë të pushtetit, dhe grupit të normave dhe praktikave që ndikojnë në marrëdhëniet midis shteteve.

Duke e reduktuar fuqinë e fortë të Rusisë, si dhe fuqinë e fortë dhe të butë të Kinës. Lufta e Ukrainës e ka ndryshuar pak ekuilibrin në drejtimin tonë. Në lidhje me rendin normativ, pushtimi rus i Ukrainës i ka dëmtuar rregullat që u sanksionuan në Kartën e OKB-së pas vitit 1945, por shumica e shteteve anëtare ruajnë interesin për parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Mbetet të shihet sesa dëm u është bërë normave të regjimit të mospërhapjes së armëve bërthamore, që e ka ngadalësuar përhapjen e këtyre armëve që nga viti 1968. Pra, rrethanat për një politikë të jashtme të suksesshme pas përfundimit të Luftës së Ukrainës, duken premtuese. Por historia ka gjithnjë të papriturat e saj. Një sërë ngjarjesh mund t’i shkatërrojnë shumë shpejt këto rrethana të favorshme.

Për shembull, shkelja e pragut bërthamor nga një Putin i dëshpëruar përmes një goditjeje taktike në Ukrainë; pushtimi i Tajvanit nga Kina, që do t’i shkaktonte një krizë tjetër të rëndë ekonomisë botërore; apo përçarjet e brendshme në SHBA, që e nënvlerësojnë fuqinë tonë të butë dhe na pengojnë të luajmë me sukses kartat që na janë dhënë nga llogaritjet e gabuara të Putinit. E ardhmja është gjithmonë e pasigurt, por koha për të planifikuar se çfarë do të bëjmë në të ardhshmen është pikërisht tani.

Shënim: Joseph Nye, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës dhe autor i librit “A ka rëndësi morali? Presidentët dhe politika e jashtme nga Ruzvelt tek Trump”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!