Lufta në Ukrainë, a rrezikohet Ballkani? Çejku: Vuçiç zgjodhi të fitojë zgjedhjet, qëndrimet mund të ndryshojnë

schedule12:04 - 1 Mars, 2022

schedule 12:04 - 1 Mars, 2022

Diplomati Arben Çejku foli në ABC Live për ndikimin e luftës në Ukrainë, në Ballkan. Ai u shpreh se sfera shqiptare është e garantuar për shkak të interesave amerikane.

“Unë mendoj se Ballkani është një sferë më specifike e ndikimeve ruse dhe amerikane. Sfera shqiptare është e garantuar për shkak të interesave amerikane. Shqiptarët janë të garantuar dhe nuk kanë nevojë të futen në këto qasje”, tha ai.

Çejku theksoi se pas zgjedhjeve në Serbi edhe qëndrimi i kësaj të fundit do të ndryshojë duke e cilësuar qasjen kundër sanksioneve ndaj Rusisë të Vuçiç, një strategji për të fituar zgjedhjet.

“Pas zgjedhjeve në Serbi edhe atje situate do të ndryshojë. Vuçiç ka zgjedhur të fitojë zgjedhjet dhe të godasë imazhin e shtetit të vet në sytë e Bashkimit Europian. Qëndrimi i Serbisë ka sjellë një numër të madh reagimesh nga ana e ndërkombëtarëve.

Serbia ka hapur negociatat me BE për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Qëndrimet e Serbisë do të shihen në muajt në vazhdim. Brukseli nuk mund të dalë me një deklaratë tani dhe të ndërpresë marrëdhëniet me Serbinë.

Përpjekja ka qenë që ta mbajnë nën influencën amerikane. Kjo e lehtëson edhe zgjidhjen e problemit që ajo ka me Kosovën. Mund të them që Vuçiç i bëri një dëm të madh Serbisë me qëndrimin pro Rusisë duke anashkaluar familjen europiane”, u shpreh Çejku. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!