Ushtarët ukrainas të vendosur në vijën e frontit do të marrin një shtesë prej 100,000 hryvnia (2,710 dollarë) në muaj. Çdo ushtar që “i shërben vendit dhe e mbron atë nga pushtuesi, rrezikon jetën dhe shëndetin e tij dhe kryen detyrat në kushte jashtëzakonisht të vështira duhet të jetë i motivuar”, thuhet në një deklaratë të shtabit të përgjithshëm në Kiev.
Shtesa prej 100,000 hryvnia do t’u jepet vetëm “mbrojtësve që luftojnë në vijën e parë”. Ushtarët që janë në detyrë në zonat e luftës, por nuk marrin pjesë në luftime, si dhe ushtarët e mbrojtjes ajrore, do të marrin një kompensim prej 30,000 hryvnia.
Paga bazë për të gjithë ushtarët u rrit në pothuajse 20,000 hryvnia në fillim të shkurtit. Sipas shtabit të përgjithshëm, ata marrin një pagë “të drejtë”, e cila nuk krijon “shkaqe tensionesh sociale” dhe reflekton “respekt” për “ushtarët që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre”.
Shtabi i përgjithshëm ukrainas u bëri thirrje ukrainasve që të mos ndikohen nga “populizmi” për këtë çështje dhe të fokusohen në mbrojtjen e vendit.
Nga ana tjetër, ushtarakët rusë të dislokuar në vijën e parë pajisen me një kompensim deri në 158,000 rubla (1,934 dollarë) mbi pagën bazë prej 37,000, sipas të dhënave zyrtare.
Ndërkohë qeveria amerikane njoftoi dërgimin e ndihmave të reja ushtarake në Ukrainë, me vlerë 325 milionë euro.
Paketa përfshin kryesisht municione për raketat HIMARS. Kjo është paketa e 36 e ndihmave e shpallur nga Uashingtoni pasi ushtria ruse pushtoi territorin ukrainas në shkurt të 2022. Me këtë, shuma që SHBA ka ndarë i kalon 35.4 miliardë dollarë.
Përveç municioneve për HIMARS-in dhe artilerinë, do të dërgohen raketa TOË, mina antitank, pajisje sigurie portuale dhe 9 milionë fishekë, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
/abcnews.al