Eksperti i ekonomisë, Igli Tola thotë se Shqipëria rrezikon të importojë inflacion, pasi jemi vend kryesisht importues, teksa konflikti në Lindjen e Mesme e ka çuar çmimin e naftës në mbi 100 dollarë për fuçi.
Në një intervistë për “Money Report” në ABC News, Tola u shpreh se çdo produkt importi pritet të vijë me çmim më të lartë.
Tola shtoi se duhet të kemi ekonomi prodhuese, që të mos varemi nga kriza apo konflikte ndërkombëtare.
“Në fund, rritja e çmimit të hidrokarbureve dhe inflacioni, kanë vetëm një destinacion final, që është konsumatori. Më e prekur do jetë transporti. Çdo produkt importi do vijë me çmim më të lartë. Në gjykimin tim, situata në Lindjen e Mesme, nga aspekti ekonomik, është më i rëndë se fillimi i konfliktit të Rusisë me Ukrainën. Është i gjithë rajoni i përfshirë në këtë tension. Banka Qendrore këtë funksion ka, stabilizimi dhe mbajtja nën kontroll e inflacionit. Kjo është përpjekje e vazhdueshme. Ne kemi parë stabilizim të inflacionit, por çmimet nuk janë të krahasueshme me periudhën para pandemisë dhe luftës në Ukrainë. Edhe bizneset janë të prekura. Në rastin si ekonomia jonë, që është e varur nga importi, mundësia për të menaxhuar inflacionin është e vështirë. Duke pasur inflacion të importuar, ajo që mund të bësh, është të bësh kontrolle, auditime, por nuk mund t’i japësh zgjidhje. Ndaj duhet ekonomi prodhuese. Ne jemi të prekur nga çdo krizë, konflikt ndërkombëtar”, theksoi ai./abcnews.al


