Presidenti amerikan Joe Biden u zotua të bëjë “çdo gjë në fuqinë e tij” për të liruar qytetarët amerikanë të mbajtur peng nga Hamasi, sipas CBS.
Biden foli me të afërmit e 14 amerikanëve që janë zhdukur pas sulmit të Hamasit në Izrael.
Sipas të dhënave të fundit, 27 amerikanë janë vrarë dhe të tjerë mbahen peng nga grupi islamik. Uashingtoni nuk ka specifikuar se sa nga 14 të zhdukurit janë në duart e Hamasit.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i sjellë ata në shtëpi nëse mund t’i gjejmë,” tha Biden.
“Familjet duhet të dinë se presidenti i Shteteve të Bashkuara është thellësisht i shqetësuar për atë që u ndodhi atyre”, shtoi presidenti amerikan. “Ajo që bëri Hamasi nuk është sjellje njerëzore, është barbarizëm”, vazhdoi ai.
Hamasi pretendoi se mbante rreth 150 pengje dhe 13 prej tyre u vranë nga sulmet izraelite në Gaza.