Gjenerali Dedë Prenga ka deklaruar se intensiteti i sulmeve nga Irani ndaj Izraelit ka rënë, duke theksuar se kjo lidhet si me kufizimet në kapacitetet ushtarake të Teheranit, ashtu edhe me dëmet e shkaktuara nga kundërgoditjet izraelite.
I ftuar në “Tirana Live” në ABC News, Prenga e cilësoi reagimin e Iranit si “reagimin e një të dëshpëruari”, ndërsa paralajmëroi se situata mbetet e ndjeshme dhe kërkon vigjilencë nga vendet e rajonit.
Sipas tij, edhe pse nuk ka vend për panik, vendet e rajonit duhet të jenë të përgatitura për zhvillime të mundshme, ndërsa theksoi se Shqipëria nuk është plotësisht jashtë rrezikut.
Gjenerali shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk kanë përdorur ende kapacitetin e tyre të plotë ushtarak, ndërsa parashikoi se intensiteti i goditjeve iraniane ndaj Izraelit pritet të vijë në rënie dhe konflikti mund të zgjasë për javë apo muaj, por me mundësi për një shkëputje relativisht të shpejtë.
“Intensiteti i goditjeve nga ana e Iranit ka pësuar një rënie, për shkak të kapaciteteve, por edhe të dëmeve që kanë shkaktuar goditjet nga ana e palës Izraelite. Reagimin e Iranit do e quaja si reagimin e një të dëshpëruari.
Raketa e djeshme nga Turqisë, mund të mos ketë qenë për Turqinë, por për bazat amerikane në këtë vend. Nuk ka vend për t’u relaksuar, por as për të pasur panik. Shqipëria, nuk është as jashtë rrezikut, por nuk ka vend as për panik. SHBA nuk ka përdorur kapacitetin e plotë ushtarak. Forca e Iranit në goditje ndaj Izraelit do të jenë në rënie.
Teknika dhe shkenca bashkëkohore janë avancuar në mënyrë të tillë, që janë të komanduara. Është e përcaktuar çdo gjë, është në kontroll gjatë gjithë rrugëtimit të saj dhe në momentin e duhur, qëllohet dhe asgjësohet. Pjesa më e madhe asgjësohet në ajër, jo patjetër në vendin ku duhet të bjerë.
Programohet në mënyrë të tillë, që as copëzat e saj të mos shkaktojnë dëme dhe të lënduar. Vendet e rajonit duhet të jenë të përgatitura për sulmet e iraniane. Zgjatja e konfliktit do të jetë për javë, për muaj do të jetë plus, minus, por shkëputjen e shikoj të shpejtë”, tha Dedë Prenga.


