Lufta në Gaza/ Telefonata Biden-Netanyahu, do të rifillojnë bisedimet për lirimin e pengjeve

schedule22:38 - 4 Korrik, 2024

schedule 22:38 - 4 Korrik, 2024

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha të enjten presidentit amerikan Joe Biden se ka vendosur të dërgojë një delegacion për të rifilluar negociatat e ngecura për lirimin e pengjeve me Hamasin, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit dhe Shtëpia e Bardhë.

Gjatë një bisede telefonike mes dy udhëheqësve, kryeministri Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij se Izraeli do ta përfundojë luftën nëntëmujore në Gazë, vetëm kur të jenë arritur të gjitha objektivat.

Sipas kanalit televiziv izraelit Channel 12, agjencia izraelite e zbulimit Mossad do të kryesojë delegacionin izraelit në bisedime. Megjithatë për këtë nuk pati konfirmim të menjëhershëm.

Zoti Netanyahu pati në vazhdim gjatë së enjtes konsultime me ekipin e tij negociator dhe diskutoi me kabinetin e tij të sigurisë çështjen e bisedimeve për lirimin e pengjeve.

Shtëpia e Bardhë tha se dy udhëheqësit diskutuan për përgjigjen më të fundit të marrë nga Hamasi.

“Presidenti mirëpriti vendimin e kryeministrit për të autorizuar negociatorët që të angazhohen me ndërmjetësit e Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit, në përpjekje për të arritur një marrëveshje”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Nuk u bë menjëherë e qartë se ku do të shkonte delegacioni izraelit për të rifilluar bisedimet. Përpjekjet e mëparshme për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë janë ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari, ku edhe janë mbajtur bisedimet. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!