Gjatë samitit arabo-islamik, presidenti egjiptian Al-Sisi bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte”. Ai shtoi se “Politika e ndëshkimit kolektiv në Gaza është e papranueshme”.
Gjithashtu, presidenti i Egjiptit tha se “Komuniteti ndërkombëtar mban përgjegjësinë për armëpushimin në Gaza. Ne bëjmë thirrje për t’i dhënë fund zhvendosjes së detyruar të banorëve të Gazës dhe dërgimin e ndihmave humanitare.”
Ai bëri thirrje gjithashtu për nisjen e hetimeve për shkeljen e ligjit ndërkombëtar të kryer në Gaza.
Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman tha sot se Izraeli është përgjegjës për krimet e kryera kundër popullit palestinez, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund rrethimit të Gazës.
Duke folur në një samit të përbashkët urgjent të Ligës Arabe dhe Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që po mbahet në Riad, princi i kurorës bëri thirrje gjithashtu për përfundimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake dhe lirimin e pengjeve.
Nga ana tjetër, presidenti palestinez Mahmud Abbas tha se palestinezët po përballen me gjenocid, duke u bërë thirrje SHBA-së të ushtrojë presion mbi Izraelin për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Duke folur në një samit të përbashkët islamik-arab në kryeqytetin saudit, Abbas tha gjithashtu se palestinezët kishin nevojë për mbrojtje ndërkombëtare kundër sulmeve izraelite.
/abcnews.al