Lufta në Gaza po rrit rrezikun e sulmeve terroriste në Europë

schedule14:16 - 13 Mars, 2024

schedule 14:16 - 13 Mars, 2024

Duke vlerësuar situatën në Europë në mes të luftës në Gaza dhe qëndrimit të Iranit ndaj Perëndimit, autoritetet europiane të sigurisë pretendojnë se kanë parandaluar disa sulme terroriste.

Siç raporton Wall Street Journal, disa nga komplotet e sulmeve terroriste përfshinin të dyshuar që e quanin veten refugjatë, duke rritur shqetësimet për kërcënimin në rritje nga ekstremistët.

Raporti nxjerr në dritë hetimet e shërbimeve europiane të sigurisë, të cilat nuk ishin bërë publike.

Dhjetorin e kaluar, autoritetet policore në Austri dhe Bosnje arrestuan dy grupe të ndryshme nga Siria dhe Afganistani, disa prej të cilëve ishin refugjatë dhe të tjerë që pretendonin se ishin.

Të dyshuarit, posedonin armë të tipit kallashnikov, pistoleta dhe municione, ndërsa autoritetet gjetën edhe materiale fotografike të objektivave hebrenj dhe izraelitë në Europë në disa celularë të tyre.

Pak para fundit të vitit 2023, një grup taxhikësh, grupi etnik më i madh në Taxhikistan dhe më i madhi në Afganistan dhe Uzbekistan  u arrestuan pasi po planifikonin sulme në Këln dhe Katedralen e Shën Stefanit në Vjenë gjatë sezonit të festave, kur qindra adhurues dhe vizitorë dynden në të dy tempujt.

Të arrestuarit dyshohet se kishin lidhje me Brigadën e Dëshmorëve Al -Aksa, të cilën BE, SHBA dhe Izraeli e kanë cilësuar si një organizatë terroriste.

Sipas gazetës amerikane, shërbimet e sigurisë kanë frikë se këto incidente tregojnë një rritje në Europë të kërcënimit terrorist, i cili vjen nga regjimi i Teheranit dhe aleatët e tij, përfshirë Hamasin dhe Hezbollahun, si dhe nga “Shteti Islamik i Khorasanit”, i cili po lufton kundër talebanëve në Afganistan.

Nga ana e tij, shërbimi i sigurisë së brendshme të Gjermanisë paralajmëroi në dhjetor 2023 se lufta në Rripin e Gazës mund të kontribuojë në një rritje të komploteve për sulme terroriste në Gjermani, veçanërisht kundër objektivave hebreje dhe izraelite.

Agjencia antiterroriste në Gjermani ka kryer bastisje kundër qelizave lokale të Hamasit, të cilat kanë qenë prej kohësh aktive në vend.

Sipas “WSJ”, policia gjermane ka vënë në dukje se Hamasi, Hezbollahu dhe degët e tyre në Europë po përdorin luftën në Rripin e Gazës për qëllime propagandistike, mbledhje fondesh dhe rekrutime.

Organizatat terroriste kanë qenë aktive edhe në rrjete sociale duke organizuar demonstrata antisemite në qytete të ndryshme europiane.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!