Lufta më flakët/ Ministria e Mbrojtjes: Aktive 3 vatra zjarri në vend. Nuk rrezikohen banesa

schedule21:14 - 15 Korrik, 2024

schedule 21:14 - 15 Korrik, 2024

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë ditës së sotme janë aktive 3 vatra zjarri në vend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Ministria e Mbrojtjes bën me sije se në Qarkun e Dibrës ka vijuar puna nga terreni dhe ajri për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Kurdari, bashkia Klos. Vatra e zjarrit në Balgjaj të fshatit Kurdari është zhvilluar në dy vatra, njëra prej të cilave është vënë nën kontroll. Një prej vatrave  është zhvilluar në drejtim të liqeneve të Balgjajt, Kurdari në sipërfaqe me filizë pishe e ahu, por është mbajtur pjesërisht nën kontroll. Për fikjen e zjarrit u angazhuan 23 forca dhe helikopteri i FA. Nuk rrezikohen banesa.

Po ashtu vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Buza Dede mbi fshatin Gurë-Lurë, bashkia Dibër. Aktualisht janë dy vatra zjarri aktive, njëra në kullotë, ndërsa  vatra tjetër po zhvillohet në pyll me ah në vendin e quajtur Plehenaj,  ku zjarri po zhvillohet shumë aktiv ndihmuar nga temperaturat e larta, era e fortë si dhe mbetjet e thata të grumbulluara ndër vite. Efektivë zjarrfikës, forca nga Administrata e Zonave të Mbrojtura, forca bashkiake e vullnetare po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Në qarkun e Elbasanit, midis malit të Xhyrës dhe njësisë administrative Qukës, bashkia Prrenjas, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ah, dëllinjë dhe panjë.  Punonjësit në terren kanë arritur të izolojnë vatrën e zjarrit dhe po e mbajnë atë nën kontroll, por për shkak të sasisë së madhe të humusit zjarri në brendësi vazhdon dhe ka forcë. 25 efektivë të FA janë përfshirë në këtë aksion, duke vënë nën kontroll flakët,  por vazhdon puna për ta mbajtur atë të izoluar.

Ndërkaq është fikur një vatër e raportuar në malin e Trushnicës, në Tepelenë, por po mbahet në monitorim nga forcat bashkiake për të mos u riaktivizuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!