Lufta me COVID, Fico: Infektimet, drama e vërtetë, vaksina nuk bën çudira, ja kur do të jemi të sigurt

schedule18:27 - 10 Shkurt, 2021

schedule 18:27 - 10 Shkurt, 2021

Drejtoresha e ISHP-së Albana Fico u shpreh në studion e ABC përballë gazetarit Endri Xhafo se drama e vërtetë janë numrat e të infektuarve dhe jo riinfektimet. “Nëse do të riinfektohesh dhe je rast i zakonshëm je me ngarkesë virale më të dobët. Një person i riinfektuar që ka shenja të lehta ka një ngarkesë virale shumë herë më të vogël.

Rreziku ynë primar nuk janë riinfektimet. Numrat e të infektuarve janë drama e vërtetë, jo riinfetimet” tha ajo. Por sa të sigurt duhet të ndihen qytetarët që e kanë kaluar koronavirusin? “Ne do të jemi të sigurt kur të kemi një imunizim të gjerë, të tufës, kjo është siguria”.

https://youtu.be/mZybhnLpUvY

Fico shprehet se nga vaksina nuk duhet të presim çudira. “Vaksina është një mjet, bar, i cili nuk bën gjë tjetër veçse parandalon riinfektimin dhe ose kur ka, ose nuk lejon të kalohet në forma të rënda. Vaksina si një mjet i vetëm nuk bën çudira, se këtë e kemi provuar edhe me vaksina të tjera, si të gripit dhe të thuash pasi e bën, nuk më zë më gripi. Vaksinat që po përdorim, akoma kemi për detyrë të provojmë efektshmërinë e tyre”.

Por me cfarë ritmesh po ecet me vaksinimin? “Kjo është një sasi shumë e vogël për kapacitetet që kemi ne dhe përgatitjet që kemi bërë. Edhe me dozat e ardhura, 1 mijë e ca u janë dedikuar personave që punojnë në spitalet covid, takati ynë është shumë herë me i ndryshëm. Lufta po bëhet për të sjellë sa më shumë vaksina”.

Fico tha se javën që vjen, ditën e hënë do të vijë një tjetër furnizim nga “Pfizer” me doza. “Javës tjetër ditën e hënë vjen një pjesë e “Pfizer”, edhe COVAX ka publikuar sasinë, është me Astra Zeneca”-n.

Drejtoresha e ISHP kishte një opinion edhe mbi debatin që po bëhet për mos përdorimin e vaksinës Astra Zeneca te personat mbi 65-vjeç. “Nuk është cështja që nuk përdoret mbi 65 vjec, por shtete të caktuara thonë nuk kam studime të kënaqshme. Ka një element që kërkohet të jetë më i qartë”.

Po ne si do të veprojmë? “Nuk është një vendim që e marr unë. Vendimin e merr komiteti i ekspertëve të vaksinimit. Një strukturë e vjetër që funksionon shumë mirë. Të premten kemi lënë një mbledhje për të kuptuar si do ta menaxhojmë ne këtë historinë e “Astra Zeneca”-s”.

Në BE, vijon debati për cështjen e pasaportës së vaksinimit që të lejon lëvizjen e lirë, por përse një gjë e tillë nuk aplikohet edhe brenda vendit, që kush ka marrë dozat të lëvizë lirisht? “Shumë e vështirë për ta kryer. Nuk bëhet në kohë pandemi, harroje” tha Fico./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!